Basha vijon takimet me udhëheqës të lartë europianë

  • 7 years ago
Pjesëmarrja në Kongresin e Partive Popullore Europiane i ka shërbyer Lulzim Bashës që shqetësimin e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme ta ndajë edhe në takimet kokë më kokë që ka zhvilluar me udhëheqës të lartë europianë.

Në takimin e zhvilluar me Presidentin e PPE, Josef Daul dhe me Sekretarin e Pergjithshëm Antonio Lopez Isturiz, kreu i opozitës ka parash?truar kërcënimin real të zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqiperi prej krimit, drogës dhe parave të pista, si dhe ka kërkuar mbështetjen europiane për këtë betejë që po zhvillon opozita.

Të njëjtin shqetësim zyra e shtypit pranë Partisë Demokratike thotë se Basha e ka ndarë edhe me Ministrin e Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, Komisionerin Europian për Sigurinë, Dimitri Avramopulos, si dhe me kreun e Senatit Italian Pier-Ferdinando Cazini. Ky i fundit e ka siguruar Bashën se do të ketë përkrahjen e tij për kauzën e votës së lirë. Sipas njoftimit për shtyp, thuhet se Kazini ka vlerësuar të drejtë propozimin e opozitës se për daljen nga kriza, duhet një qeveri teknike.

Ndërsa në takimin e zhvilluar me Presidentin e Këshillit të Europës, Basha mori garancinë e Pedro Agramunt, për mbështetje që Shqipëria të mos bëjë kthim pas në standardet e demokracisë e votës së lirë.

Këto takime vijnë një pas miratimit të rezolutës së Partisë Popullore Europiane, grupimit politik më të madh të partive të djathta dhe të qendrës në Parlamentin Europian, të cilat i bënë thirrje të gjitha forcave politike në rajonin e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, të marrin pjesë plotësisht në proceset demokratike dhe në institucionet e vendit, të zbatojnë Reformën në Drejtësi dhe të luftojnë korrupsionin.

Tv Klan

Recommended