Report TV - Përplasjet PS-LSI, Panariti: Koha për dialog, respektojmë marrëveshjen

  • 7 years ago
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, nga Korça ka dhënë një tjetër deklaratë në lidhje me situatën politike në vend.

Panariti komentoi përplasjet e fundit mes Luan Ramës dhe ministrit të Brendshëm në detyrë, Saimir Tahiri, ndërsa theksoi se dialogu stabilizues dhe bashkëpunues është i rëndësishëm për situatën politike në vend.

"Ne jemi në koalicon me PS-në dhe LSI-ja me luajalitet do t'i përmbahet kritereve të bashkëpunimit të koalicionit deri në fund. Eshtë koha për të mos folur më për njëri-tjetrin, por të flasim me njëri-tjetrin, pra dialog dhe jo monolog. Kjo kërkohet sot, kjo është rruga e vetme për të zgjidhur problemet që janë shtruar për zgjidhje", u shpreh Panariti.

Më tej, Ministri i Bujqësisë komentoi edhe kërkesat e protestës së opozitës duke deklaruar se dialogu nga një tryezë e përbashkët është i rendësishëm për gjetur zgjidhjen e mundëshme.

"Zgjidhja duhet të arrihet vetëm nëpërmjet komunikimit, dialogut, për arsye se jemi në limitet e vendimmarrjes së kornizës Kushtetuese për shumë procese. Prandaj, sa më parë të ulemi, të komunikojmë, të dialogojmë, aq më shpejt do të gjejmë një zgjidhje për ngërçin. LSI ka shprehur vullnet për t'u ulur në dialog për të gjitha çështjet madhore dhe prioritare të vendit", tha Panariti.

Recommended