Gjykata Kushtetuese lë në fuqi Vetting -un

  • 7 years ago
Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për shpalljen si antikushtetues të Ligjit të Vetting -ut. Vendimi erdhi pas më shumë se tre orë mbledhje në dhomën e Këshillimit, ku mësohet se 6 prej anëtarëve të trupës gjyqësore votuan kundër kërkesës së Partisë Demokratike, ndërsa dy të tjerë pro.

Ky vendim i Kushtetueses vjen pas mbërritjes së opinionit Komisionit të Venecias, të cilit kjo gjykatë iu drejtua për mendim. Rrëzimi i kërkesës së Partisë Demokratike bën të mundur zbatimin menjëherë të Ligjit të Vetting -ut, që ishte pezulluar nga Kushtetuesja.

Demokratët e ankimuan ligjin, me argumentin se ai shkelte Kushtetutën, pasi binte ndesh me ndryshimet konsensule të bëra në 22 Korrik, në ligjin themeltar të shtetit dhe tentonte të vinte nën kontrollin e Kryeministrit drejtësinë, duke cënuar parimin e ndarjes së pushteteve, si dhe shkelte Konvetën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Gjykata Kushtetuese u detyrua t?i drejtohej dy herë Komisionit të Venecias, pasi opozita zbuloi se në variantin Anglisht të marrë nga Euralius, ligji kishte gabime, që sipas saj ishin bërë qëllimisht për të ndikuar në opinionin e Komisionit të Venecias.

Pjesa më e debatuar e ligjit është kryerja e kontrollit dhe hetimit në procesin e rivlerësimit nga ILDKPKI, DSIK, Shkolla e Magjistraturës, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Ministria e Brendshme.

Ligji i Vetting -ut u miratua në një seancë të jashtëzakonshme më 30 Gusht me 88 vota të mazhorancës. Krahas Vetting -ut një ditë më parë Partia Demokratike ankimoi si antikushtetues edhe ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, që parashikon ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Tv Klan

Recommended