Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë do të jetë e hapur për publikun gjatë gjithë muajve të verës. Ndryshe nga institucionet e tjera që i kanë përfunduar premierat e sezonit artistik dhe do të qëndrojnë përafërsisht dy muaj të mbyllura, Galeria Kombëtare është i vetmi institucion që nuk ndërpret aktivitetin e saj. Deri në fund të gushtit do të vijnë ekspozita të reja, pohon Drejtori i Galerisë Kombëtare Artan Shabani, i cili na bën me dije se do të çelet edhe ekspozita e artistit të mirënjohur Alkan Nallbani, e cila do të hapet më 19 gusht dhe do të mbyllet në katër shtator.
Kjo është ekspozita e parë vetjake e Alkan Nallbanit në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë. Shumica e veprave të Nallbanit janë realizuar në Amerikë ku ai banon aktualisht, por pjesa më e madhe e punimeve së tij i dedikohen jetës shqiptare. Gjatë këtij muaji në Galerinë Kombëtare qëndron e hapur një nga ekspozitat më të rëndësishme me vepra nga koleksioni i Muzeut Ludvig në Budapest, që do të jetë e hapur deri më 14 gusht.