Deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka ka qenë sot përpara ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, ku ka thënë se në ambientet e policisë po mbahen disa të shoqëruar, mes tyre edhe minorenë.
Ndërkohë, ai ka akuzuar edhe shtetin, i cili sipas tij është kundër qytetarëve dhe interesave të tyre.
?Jam me familjarët e të shoqëruarve në polici pas protestës. Presim të marrim përgjigje nga drejtësia. Jemi këtu për të kërkuar drejtësi. Janë mbyllur brenda padrejtësisht. Në qelitë e policisë ka edhe minorenë që mbahen dhunshëm në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Njëri nga protestuesit që ishte në spital u rrëmbye nga policia dhe u soll në polici. Kemi të bëjmë me një shtet shtazor që lufton kundër qytetarëve të vet" tha ai.
Ndërkohë, familjarët e personave të shoqëruar kanë kërkuar lirimin e tyre, ndërkohë që kanë akuzuar Kryeministrin e vendit Rama se po përdor policinë për interesa personale.
?Fëmijët tanë protestojnë për një të drejtë ligjore, në polici janë rikthyer ish sigurimsat e shtetit. Dhuna e ushtruar ndaj fëmijëve është e pafalshme. I bëj thirrje popullit që të ngrihen në këmbë. Në qeli ka minorenë. Rama e përdor policinë për interesat e tij. Është kthyer në Shqipëri neodiktatura? kanë thënë ata.