FH: Shqipëri, bie niveli i demokracisë - Vizion Plus - News - Lajme

  • 9 years ago
Shqipëria merr një tjetër shuplakë sa i përket nivelit të korrupsionit, proceseve elektorale, demokracisë në qeverisje dhe të drejtave civile. Organizata "Freedom House", përmes një raporti të titulluar "Vendet në tranzicion", vë në dukje se përgjatë vitit 2012, vendi ynë, ashtu si disa fqinjë të tjerë ballkanikë, ka pësuar rënie në treguesit kryesorë. Sipas dokumentit, në Shqipëri aktualisht ka më pak demokraci si në qeverisje qendrore dhe ne atë lokalë, korrupsioni është shtuar, dhe demokracia në përgjithësi ka pësuar rënie. Vlerësimi për këta sektorë bëhet nga numri 1, që është më pozitivi dhe deri në 7, që është më negativi. Në këtë renditje, ne marrim një notë 4.25, që është më e ulet edhe se ajo e vitit 2004. "Reformat kritike ngecën në të gjitha vendet e Ballkanit, në vitin 2012, pavarësisht presionit të BE-së për afatet. Vlerësimi për Shqipërinë vijoi të pësojë rënie, si në vitet e mëparshme, teksa kryeministri Berisha dhe Partia Demokratike, konsoliduan pushtetin mbi institucionet dhe përdorën ndikimin në sistemin juridik, për të siguruar pafajësinë e zyrtarëve të lartë publikë, të përfshirë në çështje korruptive." Në pjesën ku raporti ndalet te rajoni i Ballkanit, theksohet posaçërisht rënia e vazhdueshme dhe e madhe e vendit tonë, në të gjithë treguesit. Në tekst, edhe pse nuk përmendet me emër, jepet rasti i pafajësisë së ish-aleatit të qeverisë, Ilir Meta, i cili akuzohej për marrje ryshfeti dhe abuzim me pushtetin. "Në pesë vitet e kaluara, Shqipëria pësoi rënien më të madhe në rajon në pothuajse çdo tregues. Kjo tendencë vazhdoi edhe përgjatë 2012-ës, ndërsa kryeministri Berisha dhe Partia Demokratike e tij, hoqën nga postet kyçe ata që u përceptuan si kundërshtarë dhe i zëvendësuan me të rinj. Në janar, një çështje rryshfeti dhe abuzimi me pushtetin e një prej aleatëve kyç të kryeministrit, përfundoi me shfajësimin e zyrtarit, pasi Gjykata e Lartë vendosi që videoja që shërbente si provë për krimin, nuk ishte autentike. Një vit më herët, kjo video nxiti një demonstratë të madhe anti-qeveritare, në të cilën, u vranë katër protestues, pasi u qëlluan me armë zjarri nga forcat e sigurisë." Më pas, në raport nënvizohet sëmundja e vazhdueshme e kulturës së pandëshkueshmërisë, qe cilësohet si një plagë e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dokumenti thekson, se edhe Kosova ka shënuar rënie në treguesit kryesore të zhvillimit demokratik. "Freedom House" është një organizatë joqeveritare me bazë në SHBA, e cila zhvillon kërkime dhe është avokate e demokracisë, lirive politike dhe e të drejtave të njeriut nëpër botë.

Recommended