Maturantët e Shkupit paguajnë 1000-1200 denarë për mbrëmjen

  • 9 years ago
Maturantët e kryeqytetit pothuajse kanë përfunduar të gjitha përgatitjet rreth mbrëmjes së maturës. Për këtë mbrëmje ata do të paguajnë nga 1 mijë deri në 1 mijë e 500 denarë. Për maturantët çmimi është i kapshëm, ndërsa është çmimi më i lirë krahasuar me qytetet tjera të vendit. Të anketuarit për Alsat shprehen të kënaqur për këto çmim, pasi sipas tyre aty përfshihet edhe pagesa e dëftesës, diplomës dhe gjithashtu prezenca e profesorëve si mysafirë.

"Dmth çmimin e maturës e kemi 1116 denarë, në ato përfshihet festa ku e kemi rezervu në Aleksandar Pallas, aty do të përfshihet muzika dhe kokteji. Mendoj se është çmim solid që kishte mund ta arrij secili", tha maturant në sh.m "Pançe Karagjozov".

"Mbrëmja e maturës është organizuar në mënyrë private, nuk është një çmim i lartë, mund ta arrijë çdo nxënës. Në bashkëpunim me nxënësit dhe stafin e shkollës kemi arritë që ta bëjmë këtë çmim të volitshëm i cili është 1116 denarë. Në atë çmim përfshihet mbrëmja e maturës, restauranti, diploma por ka edhe disa gjëra të tjera", u shpreh maturant në sh.m "Pançe Karagjozov".

"Matura është paguar në shkollë 1820 duke përfshirë aty edhe diplomën e shkollës dhe dëftesën, për ato personale, për veshjet ato janë çmim në vete. Ata që dëshirojnë të vijnë mund ta ndajnë këtë çmim se nuk është edhe tepër shumë e madhe, është çmim i volitshëm", deklaroi maturant në sh.m "Pançe Karagjozov".

Ndërkohë, zv drejtori i shkollës së mesme të mjekësisë "Pançe Karagjozov", Sherif Selimi tha se gjendja ekonomike ka ndikuar në uljen e numrit të nxënësve që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj mbrëmje.

"Kështu që nuk është më interesim i nxënësve për të bërë shumë "kajde" sikurse më parë. Meqenëse unë këtu jam 6 vjet ndihmës drejtor edhe në njëfarë mënyrë jam duke i përcjell krejt këto gjenerata brenda këtyre 6 viteve dhe e shohë se është shumë e vërtet se një nga faktorët që ndikon është edhe gjendja ekonomike që duhet të jemi objektiv mirëpo, dëshira e fëmijëve është që ne nuk mund tua ndalim atë", u shpreh Sherif Selimi, zv drejtor sh.m "Pançe Karagjozov".

Mbrëmjet e maturës në tërë vendin pritet të përmbyllen gjatë javës që vjen. Melihate Rustemi

Recommended