A1 Report - Fyle ne Kosove: Keni shumë per te bere, zgjedhjet te jene te lira

  • 9 years ago
PRISHTINË- Përfundimin e bisedimeve për MSA-në, vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe themelimin e Gjykatës Speciale, Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle, në takim me Këshillin Kombëtarë për Integrime Evropiane, i ka vlerësuar si një hap të rëndësishëm për përparimin e Kosovës drejtë Bashkimit Evropian, duke e quajtur Gjykatën si një deklaratë të vërtetë për botën, e cila tregon se Kosova është e hapur dhe nuk ka asgjë të fshehtë dhe se nuk frikohet nga e kaluara, si dhe është një shënues i besimit të Kosovës në sundimin e ligjit.

Kosova duhet të bëjë më shumë për perspektivë të përparuar për qytetarët e saj, porosit Fyle, duke vazhduar se Kosova duhet të bëhet një vend ku njerëzit dëshirojnë të investojnë, një vend ku të rinjtë kanë perspektivë për të zhvilluar karrierën e tyre dhe ku njerëzit mund të gjejnë punë.

Nevojë urgjente, sipas komisionerit Fyle, për Kosovën është angazhimi për një program për zhvillimin socio-ekonomik për ta kthyer këtë vizion në realitet dhe thotë se MSA jep siguri për investitorët e ardhshëm.

Ai vlerëson se është shumë e rëndësishme që zgjedhjet e përgjithshme të organizohen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe për një proces efikas.

"Është shumë e rëndësishme që zgjedhjet të organizohen në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe se procesi të jetë efikas dhe se çdo parregullsi duhet të shqyrtohet, dhe shpresoj se përvoja pozitive e zgjedhjeve lokale do të shërbejë si inspirim. Kur fushata dhe zgjedhjet të kenë përfunduar forcat politike duhet të bashkohen për një vizion të përbashkët për të ardhmen e Kosovës në Evropë", deklaron komisionari Stefan Fyle.

Ndërsa presidentja Atifete Jahjaga, ka thënë se nënshkrimi i MSA-së të bëhet sa më shpejtë, duke u shprehur se Kosova nuk kërkon rrugë të shkurtër për në BE por në një vijë me perspektivën evropiane me vendet e rajonit.

Ajo kërkon të ketë intensifikim të shtuar të përpjekjeve dhe fuqizim të dialogut për viza, që ka për qëllim përmbushjen sa më të shpejtë të kritereve të përcaktuar në udhërrëfyes dhe konsideron se shtetet e BE-së, sidomos ato që nuk e njohin Kosovën të tregojnë një pragmatizëm të njëjtë për një realitet tashmë t ë pamohueshëm.

Marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen, thotë presidentja Jahjaga, dhe sipas saj, duhet të jetë kusht i rrugëtimit drejt BE-s.

Për zgjedhjet e përgjithshme ajo thotë se duhet të dëshmojnë pjekurinë politike dhe demokratike të Kosovës.

Recommended