Mot i qëndrueshëm deri të mërkurën, shira në fundjavë

  • 9 years ago
Pas reshjeve intensive të shiut, ujërat kanë filluar të tërhiqen ndërsa mbushja e digave tani më është stabilizuar. Nga dejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim thonë se për tani nuk ka rrezik për daljen e mëtejme të ujit nga shtretërit e lumenjve.

"Më të prekur janë pjesët verilindore të vendit, ku kishte reshje intensive shiu. Sa i përket pjesës jugperëndimore të vendit, edhe atje kishte reshje, por gjendja nuk është alarmante. Lumi Vardar është në gjendje stabile dhe tani për tani nuk ka informata se është dalë nga shtrati ose të ketë mundësi të del nga shtrati dhe të vërshon fshatrat dhe qytetet", u shpreh Ekrem Zendeli -- zëvendës drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe shpëtim.

Deri më tani ekipet e Drejtorisë me mekanizim ose ngritjen e mureve me thasë me rërë, intervenuan në Kumanovë, Shtip, Koçan, Radovish, ku situata ishte më kritike. Digat Mantovë dhe Knezhino, prej ku filluan të rrjedh uji janë vënë në kontroll. Autoritetet u bëjnë thirrje bujqve dhe kryetarëve të komunave se gjatë ditëve të ardhshme kur pritet të ketë stabilizim të motit, t'i pastrojnë shtretërit e lumenjve për të penguar vërshimin e shtëpive dhe fushave. Nga drejtoria për punë hidrometeologjike thonë se deri të enjten nuk do të ketë reshje të reja. Por, prej të enjtes sërish do të ketë ndryshime të motit dhe kushte për reshje të shiut. Tani për tani janë përmbytur fushat e orizit në Koçan, kurse janë dëmtuar edhe fushat në Dobroshan të Kumanovës. Kryetari i Federatës të Fermerëve thotë se me vëmendje po përcjell situatën dhe nëse ka nevojë do të dalin në terren për t'i vlerësuar dëmet. Verica Pavllova

Recommended