Heshtje zgjedhore në Maqedoni, votojnë të sëmurët dhe të burgosurit

  • 9 years ago
Në prag të rrethit të dytë të nesër të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë sot është heshtje zgjedhore. Sot votojnë shtetasit e Maqedonisë të cilët jetojnë apo qëndrojnë jashtë vendit, të sëmurët dhe të pamundurit, të burgosurit, personat në arrest shtëpiak dhe personat e zhvendosur brenda vendit.

Për votim në këto zgjedhje, sipas informatave të KSHZ-së, janë paraqitur rreth 4.000 të sëmurë dhe persona të pamundur. Ndërsa nesër, në 3.480 vendvotime në Maqedoni në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale mund të votojnë 1.779.572 votues, përderisa në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Listën zgjedhore janë regjistruar 1.780.128 votues. Qytetarët votën e tyre mund ta japin për dy kandidatët për president të vendit dhe për 14 lista të kandidatëve për deputetë.

Në garën për 123 vende deputetësh në gjashtë njësi zgjedhore në vend dhe tre në vendet e huaja janë 1.402 kandidatë nga 14 lista të dorëzuara nga pesë koalicione dhe nëntë parti politike.Deputetët zgjedhen sipas modelit proporcional në Maqedoni, ndërsa sipas shumicës në diasporë.Territori i Republikës së Maqedonisë është i ndarë në gjashtë njësi zgjedhore dhe në secilën prej tyre zgjidhen nga 20 deputetë. Ndërkaq për president do të zgjedhet kandidati i cili në rrethin e dytë të zgjedhjeve do të fitojë më së shumti vota, me kusht që në votim të dalin së paku 40 për qind e trupit të përgjithshëm votues. Benjamin Arifi

Recommended