Saraçini e Besimi, takim me Odën Veri-Perëndimore

  • 9 years ago
Qeveria nuk i ka përmbushur plotësisht kërkesat e biznesmenëve shqiptar. Duhet punuar ende për krijimin e një klime biznesi të favorshme për të gjitha rajonet e Maqedonisë, në mënyrë të barabartë. Kështu u shpreh kryetari i Odës ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore Menderes Kuçi, i cili siguroi se, së bashku me biznesmenët-anëtarë të Odës, nuk do të ndalet së kërkuari kushte më të mira infrastrukturore dhe kushte të tjera të rëndësishme për biznesin vendor. OEMVP-ja është në përpilim e sipër të një platformeje e cila do të përmbajë projekte konkrete. Ajo do t'u prezantohet të gjitha partive politike, në mënyrë që cilado parti që të marrë mandatin në zgjedhjet e ardhshme, t'i marrë parasysh këto kërkesa.

"Sa i përket asaj se sa jemi ne të kënaqur, sigurisht që ne nuk jemi krejtësisht të kënaqur me një gjë të tillë dhe këtë e kemi shprehur haptazi edhe me ministrat por edhe me kryeministrin kur kemi pasur takime të caktuara mirëpo arsyetimet gjithmonë kanë qenë se mundësitë janë të tilla dhe aq megjithatë ne nuk ndalemi këtu dhe kërkesat tona...Këto kërkesa besoj që janë legjitime dhe to të hasin në vesh të mirë nga ana e qeverisë", u shpreh Menderes Kuçi, kryetar i OEMVP.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e BDI-së që u njohën më së afërmi me këto kërkesa, thanë se do të bëjnë përpjekje që këto sugjerime t'i përfshijnë edhe në platformën e re zgjedhore të BDI-së.

"Ajo që është me rëndësi për mua, por edhe për BDI-në është që ne të ofrojmë para qytetarëve një program konkret me projekte konkrete i cili në të ardhmen do të jetë edhe program qeveritar. Unë shpresoj se kësaj radhe apo në këto zgjedhje nuk do të ngelim si opsioni i vetëm politik shqiptar i cili ofron program, i cili ofron projekte konkrete dhe do të na bashkëngjiten apo më mirë të themi do të ndjekin rrugën tonë edhe partitë e tjera", tha Valon Saraçini, ministër i ekonomisë.

"Ekonomia do të jetë një nga prioritetet e platformës politike të BDI-së, pasi në këtë temë, përveç temave politike dhe integruese dhe marrëdhënieve ndëretnike, ajo që e prek drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve; është standardi jetësor i tyre dhe ne mendojmë se partnerët më serioz në këtë drejtim i kemi sektorin e biznesit", deklaroi Fatmir Besimi, zv/kryeministër.

Saraçini e Besimi nuk bënë të dituar se çfarë projektesh konkrete do të përmbajë platforma e tyre, por theksuan se ajo do të synojë gjallërimin e ekonomisë dhe jetës së qytetarëve. Ferikan Iljazi

Recommended