A1 Report - Sulm autobusit Gjirokastër-Janinë Thyhen xhamat, panik tek udhëtarët

  • 9 years ago
GJIROKASTER- Autobusi i linjës së rregullt Gjirokastër-Janinë, është sulmuar në orët e mbrëmjes së të dielës, në Kordhocë, lagje e poshtme e Lazaratit. Gurë dhe mjete rrethanore, kanë qenë materialet që janë përdorur për të sulmuar mjetin e transportit në pjesën dalëse të fshatit rebel, rreth 4 km në jug të qytetit të Gjirokastrës në aksin nacional Gjirokastër-Kakavije.

Nuk dihen ende se cilët mund të kenë qenë autorët e goditjes, por ndërkohë Policia e Gjirokastrës, po punon intensivisht për të gjetur autorët. Drejtuesi i autobusit një shtetas grek me banim në Janinë, shprehet në këtë mënyrë.

"Isha duke kaluar në rrugën time dhe para meje kaloi një makinë e vogël më duket një mjet Volkswagen dhe kishte ndezur dritat e gjata rreth 100 metra larg. Kur u afrua ndaloi në rrugë dhe pasi ecëm për më shumë se 20 metra, ndjemë goditjet me gure apo dhe mjete të tjera që na frikësuan tej mase. Gurët erdhën në të dy anët e autobuzit dhe më pas, ndaluam këtu ku dhe jemi duke lajmëruar policinë".-ka deklaruar drejtuesi i automjetit.

Në panik janë gjendur edhe pasagjerët e paktë që udhëtonin me linjën direkte të autobuzit Gjirokastër-Janinë.

Në autobuz, udhëtonin 5 pasagjerë dhe dy shoferë të linjës. Nuk dihen motivet e sulmit të autobuzit, ndërkohë që Policia e Gjirokastrës, po punon për identifikimin e autorëve të sulmit. Ky është sulmi i dytë i autobuzëve të linjës me Greqinë, që ndodh në aksin nacional veri-jug në Qarkun e Gjirokastrës, pas atij të 27 janarit të këtij viti, ku autobuzi i linjës Athinë-Tiranë u sulmua me armë zjarri nga katër persona në Mogile afër Memaliajt, ku ngeli i vrarë një 27 vjecar nga Elbasani dhe i plagosur një 19 vjecare nga Fieri.

Recommended