A1 Report - Skender Bruçaj zgjidhet Kryetari i ri i Komunitetit Mysliman

  • 9 years ago
TIRANË- Skender Bruçaj është kreu i ri i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Lajmi është bërë i ditur nga Këshilli i Përgjithshëm, ku Bruçaj është përzgjedhur mes 4 kandidaturave për këtë post.

Ndër kandidaturat e tjera që fituan të drejtën për të garuar për këtë post ishin: Bujar Spahiu, nënkryetar i KMSH-së; Skender Bruçaj, nënkryetar i KMSH-së; Dorian Demetja, drejtor i Burimeve Njerëzore pranë KMSH-së.

Kryetari në detyrë H. Selim Muça në fjalën e tij falënderoi bashkëpunëtorët e ngushtë dhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm për mbështetjen e vazhdueshme në përmbushjen e kësaj detyre. "Ju falënderoj për mbështetjen dhe besimin që më keni dhënë në çdo moment. Të njëjtën gjë shpresoj ta bëni edhe me pasuesin tim në këtë detyrë të shenjtë e fisnike", u shpreh ish- kreu Muça.

Këshilli i Përgjithshëm e shpalli H. Selim Muçën kryetar nderi dhe anëtar i përhershëm i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, me motivacionin: "Për kontributin e vyer në konsolidimin e vlerave fetare dhe atdhetare në shoqërinë shqiptare".

Z. Bujar Spahiu u tërhoq nga gara, duke e quajtur të mjaftueshme dhe një përgjegjësi të madhe detyrën që kryen aktualisht si nënkryetar i KMSH-së. Ndërsa dy kandidatët e tjerë prezantuan platformat dhe vizionin e tyre për të ardhmen e institucionit, duke kërkuar bashkëpunimin dhe kontributin e të gjithë myslimanëve. Gjatë prezantimit pati diskutime dhe pyetje të ndryshme në lidhje me programin, por edhe mbi çështje që preokupojnë Komunitetin Mysliman.

Procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri u zhvillua në mënyrë të fshehtë. Nga 101 anëtarë që ka Këshilli i Përgjithshëm, në votim morën pjesë 99 vetë. Fitues me shumicë votash u shpall Skender Bruçaj

Recommended