VMRO: BDI-ja do të dëshpërohet nga vizita e Venizellosit

  • 9 years ago
Taktizimet mes partnerëve të koalicionit janë zhvendosur edhe në fushën e politikës së jashtme. BDI-ja e Ahmetit krahëhapur pret vizitën e zv/kryeministrit grek Evangelis Venizellos, duke qenë e bindur se vizita e tij në Maqedoni në këtë periudhë do të jetë shumë me rëndësi për të lëvizur nga pika zero bisedimet për çështjen e emrit.

"Konsiderojmë se është një vizitë e rëndësishme, pasi që ndodh pas shumë vitesh. Është një thyerje e mëtejshme e akullit në raportet ndërmjet dy vendeve fqinje. Vizita e Venizellos do të ngroh raportet mes Maqedonisë dhe Greqisë, që është një parakusht i rëndësishëm për tu ulur në tavolinë, dhe për të gjetur një zgjidhje për kontestin i cili domosdo kërkon zgjidhje në periudhën që vijon", tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Por, VMRO DPMNE-ja porositi partnerin e koalicionit BDI-në se do të dëshpërohen nëse presin shumë nga vizita e Venizellosit në Shkup.

"Vizita e Venizellosit nuk është e parëndësishme, por e njëjta do të jetë si kornizë pa fotografi, sepse paradoksi dhe hipokrizia greke ndaj eurointegrimeve qëndron në atë se për perspektivat e integrimit në Maqedoni do të flet përfaqësuesi i shtetit që bllokon këto perspektiva. Në kushte të rënies së rejtingut të partisë së tij, vështirë se Venizellos do të bënte diçka që e pret një pjesë e opinionit në Maqedoni dhe BDI-ja. Kush pret shumë nga vizita e Venizellosit, do të dëshpërohet ditën e nesërme pas ikjes së tij", deklaroi Antonio Milloshoski, ish Ministër i Jashtëm.

Në agjendën e zv/kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë Evangelis Venizellos është parashikuar edhe një takim me liderin e BDI-së Ali Ahmeti. Dy politikanët për herë të dytë do të ulen në tavolinë të njëjtë, pas takimit në Athinë në tetor të 2013-tës. Benjamin Arifi

Recommended