A1 Report - Permbytjet ne Lezhe e Shkoder Emergjencat: Nen uje 5 800 ha toke

  • 9 years ago
Qindra hektar tokë janë ende nën ujë në qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës. Banorët nuk kanë mundësi komunikimi me pjesën tjetër të komunës për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet intensive të ditëve të fundit.
Sipas të dhënave nga Shtabi i Emergjencave, në prefekturën e qarkut të Lezhës sipërfaqja e tokave bujqësore është ngushtuar me rreth 200 ha. Niveli i ujit ka rënë me 50 cm, ndërsa aktualisht ndodhet ende nën ujë 3300 ha tokë.
Situata duket disi më mirë në komunën Dajç dhe lumi Gjadër qarkullon normalisht në shtrat. Po ashtu prezencë uji ka edhe në disa banesa, ndërsa situata më kritike paraqitet në komunën Kolsh, në fshatin Barbulloj. Qindra hektar tokë janë ende nën ujë, ndërsa banorët nuk kanë mundësi komunikimi me pjesën tjetër të komunës.
Në Shkodër, Shtabi i Emergjencave Civile ka njoftuar se "situata nuk është kritike. Ende ndodhen nën ujë rreth 2500 ha tokë, por nuk ka prezencë uji në banesa".
Situata më problematike paraqitet në komunat Ana e Malit, Bushat, Dajç i Bregut të Bunës dhe Guri i Zi.
Sipas krerëve të komunave, mungesa e energjisë elektrike në hidrovore ka shkaktuar moslargimin e ujit.
Edhe në Fushë Krujë situata vijon të jetë problematike, sidomos në fushën e Ishmit.