A1 Report - Kukes, ndihma ekonomike, Mataj: Abuzime me skemen e perfituesve

  • 9 years ago
KUKËS - Pas kontrolleve të ushtruar nga Shërbimi Rajonal Social, mbi trajtimin dhe shpërndarjen e ndihmës ekonomike për shtresat në nevojë, në qarkun e Kukësit kanë rezultuar mjaft abuzime nga ana e pushtetit vendor, lidhur me futjen në këto lista të personave që nuk e meritojnë këtë trajtim.

"Në qarkun verior të vendit, ku trajtohen me ndihmë ekonomike 12838 familje, pas kontrolleve të ushtruara nga Shërbimi Rajonal Social, janë referuar 50 këshillime, 9 vërejtje dhe 11 gjoba",- ka thënë drejtori i këtij institucioni, Besart Mataj.

Ai siguroi se kjo do të jetë një çështje transparente dhe përgjegjësit kryesorë të dëmit të shkaktuar do të shkojnë para ligjit, ndërsa ndihma do t'u shkojë atyre që u takon, tha Mataj.

Ndërkohë, ka nisur puna për heqjen e personave që nuk plotësojnë kriteret e futjes në këtë skemë. Kështu, vetëm në një muaj, janë hequr nga skema e ndihmës ekonomike mbi 150 familje dhe puna në këtë drejtim vazhdon, bëri të ditur Mataj.

Në qarkun e Kukësit, rreth 60 për qind e familjeve janë të përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike. Pavarësisht kësaj, qarku i Kukësit konsiderohet si qarku më i varfër i vendit, edhe pse shumë prej familjeve në këtë rajon e përballojnë koston e jetesës, falë edhe ndihmës nga familjarët e tyre që jetojnë në emigracion.