A1 Report - "TAP" gati per zbatim, aksioneret firmosin

  • 9 years ago
Në vitin 2014 do të fillojë ndërtimi i gazësjellësit "Trans-Adriatic Pipeline (TAP)", i cili do të furnizojë Europën me gaz azerbajxhanas nga Shah Deniz 2. Dje në Baku, kryeqyteti i Azerbaxhanit, aksionerët e Konsorciumit Shah Deniz 2, kompania shtetërore azerbajxhanase "SOCAR", kompania britanike "BP" dhe ajo franceze "Total", firmosën marrëveshjen e fazës së dytë të projektit, e cila është zhvillimi i tij. Gjithashtu të pranishëm në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes ishin të pranishëm Presidenti i Azerbaxhanit, Ilham Alijev, si edhe liderë të tjerë, duke përfshirë edhe ata liderë të vendeve ku do të kalojë gazësjellësi "TAP".

Delegacioni shqiptar përbëhej nga kreu i Qeverisë, Edi Rama, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Në faqen e tij të rrjetit social "Facebook", Kryeministri Rama e cilësoi firmosjen e marrëveshjes së ndërtimit të gazësjellësit "TAP" shpresëdhënëse. "Ditë shpresëdhënëse në Baku, Azerbajxhan, ku projekti "TAP" nis rrugën e jetësimit në një ceremoni me pjesëmarrjen e vendeve të lidhura me të", - shkruan Kryeministri Rama. Ndërkaq, firmosja e marrëveshjes së ndërtimit të gazesjellësit "TAP", pjesë e Korridorit Jugor të të Gazit, hap rrugën edhe për projekte të tjera që lidhen me rajonin e Ballkanit.