Monstra, përsëri dëshmon dëshmitari i fshehur

  • 9 years ago
Nën masa të larta të sigurisë dhe me dyer të mbyllura për familjarët dhe mediat është paraqitur sot dëshmitari i fshehur në procesin gjyqësor Monstra. Dëshmitari i emërtuar me kodin E1 për herë të katërt dëshmon para gjykatës, ndërsa për herë të parë para 5 të akuzuarve që gjenden në paraburgim.

"Sot është hera e parë kur të 5 të akuzuarit në një mënyrë do të kontaktojnë me dëshmitarin online, pasi janë në pyetje masat e veçanta të hetimit. Deri tani 3 deklarata janë të dhëna nga ana e këtij dëshmitari, kjo është hera e katërt. Mendoj se edhe kjo deklaratë do të shkojë në favorin tonë, sikurse edhe deklaratat e mëparshme", tha Naser Raufi, avokat.

Avokatët mbrojtës, para fillimit të gjykimit deklaruan se mbrojtja e tyre do të përqendrohet në deklaratat kundërthënëse të dëshmitarit të fshehur në seancat e mëhershme dëgjimore.

"Deklaratat e këtij dëshmitari definitivisht janë kontradiktore. Theksi do të jetë tek dallimi i përgjigjeve të këtij dëshmitari", u shpreh Naser Raufi, avokat.

"Presim të konfirmohet pohimi ynë që e themi që nga fillimi i hetimit, se ka shumë kundërthënie në këtë proces, kështu që të shohim në seancën e sotme si do të rrjedhin gjërat", tha Asmir Alispahiq, avokat.

Dëshmia e dëshmitarit të fshehur në gjykatë është transmetuar përmes një ekrani, me fytyrë të mbuluar dhe zë të ndryshuar. Ai duhet të përsërisë dëshminë e tij pas zgjerimit të aktakuzës ndaj një personi tjetër, Sami Lutës, me të cilin numri i të akuzuarve në këtë proces gjyqësor arrin në 7 gjithsej. Dëshmitari E-1 është dëshmitari i dytë i mbrojtur në procesin gjyqësor Monstra, pasi në fillim të këtij procesi status të tillë kishte edhe Haki Haziri. Por ai më vonë hoqi dorë nga statusi i dëshmitarit të fshehur dhe u përfshi në mesin e të akuzuarve, ndërsa gjatë dëshmisë së tij në gjykatë kishte deklaruar se ka qenë i detyruar dhe i kërcënuar që të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit të fshehur. Benjamin Arifi

Recommended