Konkursi për policë, zv/ministri fajëson kandidatët shqiptarë

  • 9 years ago
Faji që në konkursin e fundit për policë, shqiptarët nuk arritën 25 % e pjesëmarrjes, qëndron tek vetë kandidatët, dhe jo tek marrëveshja që ndajnë partnerët e koalicionit. Kështu shprehet për Alsat M, zv/ministri i brendshëm Zemri Qamili. Sipas tij marrëveshja që 25 % e pjesëmarrësve në Konkurs duhet të jenë shqiptarë, ka funksionuar gjatë përzgjedhjes, por jo në fazën finale ku kandidatët nuk kanë arritur të përmbushin me sukses të gjitha fazat e trajnimit. Në këtë konkurs për herë të parë është aplikuar modeli holandez i përbërë nga shumë cikle trajnimi; 4 kandidatë shqiptarë kanë dështuar që në ciklin e parë, 8 të tjerë nuk arritën ta përfundonin me sukses trajnimin.

"Unë mendoj se ajo marrëveshje parimisht është zbatuar si marrëveshje, dhe faji nuk është te marrëveshja, marrëveshja si marrëveshje është zbatuar, faji është te kandidatët ku është dashur të angazhohen më tepër për t'i arritur pikët e duhura.... Në ciklin e parë u përjashtuan 4 shqiptarë që nuk i plotësuan kushtet për të kaluar në ciklin e dytë kurse në ciklin e dytë prej 12 kandidatëve, 8 janë shqiptarë, ato do të pajisen me diploma se kanë kryer kursin policor por nuk do të kenë të drejtë në bazë të konkursit të nënshkruajnë kontratë për marrëdhënie pune me MPB-në, por ato do të lihen në një periudhë tjetër kohore. Tani kemi konkursin tjetër dhe nëse këta kandidatë kanë më tepër pikë se kandidatët e ardhshëm do të kenë përparësi që të punësohen ndërsa të tjerët do të ngelin në periudhat tjera", tha Zemri Qamili, zv/Ministër i Brendshëm.

Sipas Qamilit, kandidatët shqiptarë kanë dështuar edhe në ato cikle ku kanë pasur mundësi që të marrin maksimumin e pikëve, siç është rregullshmëria dhe përgatitja fizike.

"Rregullshmëria, aty ku kanë mundur shqiptarët maksimum t'i kenë pikët asnjë prej këtyre kandidatëve nuk i kanë 20 pikë që janë këtu të paraparë asnjë prej tyre nuk ka arit këto 20 pikë. Përgatitja fizike, edhe aty kanë mundur maksimumin ta arrijnë. Unë u kuptoj ato me gjuhën mund të kenë pas problem megjithatë, këtu jo. Me një angazhim më të madh vet mendoj te përgatitja fizike ato kanë mundur t'i arrijnë maksimumin e pikëve edhe aty kanë ngecur. Te rregullshmëria, është vonuar, nuk ka shkuar në kohë, ka shkuar ditën e premte në shtëpi të hënën nuk ka ardhur", u shpreh Zemri Qamili, zv/Ministër i Brendshëm.

Në këtë gjeneratë të policëve të rinj, trajnimin e kaluan 73,9 % e kandidatëve maqedonas ndërsa etnitetet e tjera përfshi edhe shqiptarët, 26,1%. Gjyltene Rexhallari

Recommended