Mitreva: Farsa e Gruevskit dhe Ahemti rreth emrit, do të shndërrohet në tragjedi

  • 9 years ago
Për LSDM-në opozitare është e palejueshme dhe aspak serioze që partnerët qeveritarë Gruevski dhe Ahmeti të kenë qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket çështjes së emrit. Sipas kryetares së këshillit diplomatik të LSDM-së Ilinka Mitreva kjo farsë e Ahmetit dhe Gruevskit, mund të shndërrohet në tragjedi.

"Është e palejueshme, jo serioze që partnerët e koalicionit në qeveri të kenë qëndrime diametralisht të kundërta ndaj një çështje kyçe për Republikën e Maqedonisë siç është ajo e Emrit. Gruevski duhet të ndalojë të fshihet pas kumtesave partiake, por t'i drejtohet opinionit maqedonas dhe të tregojë se si qëndrojnë vërtet punët në procesin e negociatave me fqinjin tonë jugor. Në të kundërt, farsa në të cilën në këtë moment po marrin pjesë Ali Ahmeti dhe Gruevski do të shndërrohet në tragjedi", deklaroi Ilinka Mitreva, LSDM.

Këto komente Mitreva i bëri pas takimit që realizoi me Valter Kolboun, këshilltarin për politikë të jashtme të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë. Të dy ndanë qëndrime rreth zgjerimit të BE-së dhe anëtarësimit të Maqedonisë në familjen evropiane.

"Opinioni maqedonas duhet të dijë se deri në samitin e BE-së në dhjetor kanë mbetur më pak se dy muaj. Në këtë periudhë të ngushtë duhet të arrihet përparim në fushën e mediave, dialogut politik dhe marrëdhënieve ndër-fqinjësore. Ne jemi këtu dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në të gjitha këto procese, por bartëse e aktiviteteve është qeveria. Kuptohet se problemi më i madh në integrimin e vendit tonë në BE është qëndrimi i Greqisë ndaj emrit tonë kushtetues. Ne kërkuam nga miqtë tanë të partisë socialdemokrate të Gjermanisë që të ofrojnë ndihmë edhe në këtë fushë", tha Ilinka Mitreva, LSDM.

Mitreva i bëri apel Qeverisë që jo vetëm të lexoj me vëmendje raportin e KE-së por të kuptojë drejtë mesazhet që vijnë nga vërejtjet. Bedri Rexhallari

Recommended