Drejtori i NTP "Shkup", Misho Nikollov demanton vetveten!

  • 9 years ago
Drejtori i Ndërmarrjes së Transportit Publik-Shkup, Misho Nikollov vazhdon me deklaratat e tij kundërshtuese. Ndryshe nga 1 javë më parë kur akuzoi shoferët e autobusëve urbanë për mos-respektimin e gjuhës shqipe, sot ai tha se ndërmarrja që ai drejton, respekton plotësisht dygjuhësinë. Ai saktësoi se të gjitha dokumentacionet brenda kësaj ndërmarrjeje janë në dy gjuhë, përfshirë këtu edhe vulën zyrtare dhe ueb-faqen e këtij institucioni.

Gjatë deklaratës tuaj të fundit thatë se fajtorë për mos-implementimin e ligjit për gjuhët janë shoferët. Në fakt kush është drejtori në këtë ndërmarrje, ju apo shoferët?

'Shikoni, unë, lidhur me përdorimin e ligjit të gjuhëve mbetem në qëndrimin se NTP-ja Shkup respekton këtë ligj d.m.th ne kemi ueb-faqe të përpunuar në gjuhën shqipe, po ashtu të gjitha dokumentet dhe vulat që qarkullojnë në ndërmarrjen tonë janë dygjuhësore. Gjithashtu në të gjitha vendstrehimet e autobusëve, tabelat informative janë në 3 gjuhë. Në tabelat elektronike të autobusëve shkruhet në dy gjuhë, kështu që NTP-ja Shkup është ndërmarrje që respekton dygjuhësinë dhe unë këmbëngul në këtë qëndrim dhe asnjëherë nuk kam akuzuar shoferët se ata janë fajtorë për mos-respektimin e gjuhës', tha Misho Nikollov, drejtor i NTP-së.

Por, një javë më parë drejtori Nikollov ishte i qartë në anashkalimin e fajit, duke thënë tekstualisht se fajtorë për zvarritjen e procesit të implementimit të dygjuhësisë janë shoferët e autobusëve.

"Mendojë se ka mbetur edhe pak kohë që edhe ata pak autobusë, përkatësisht; nuk do të ketë mundësi që shoferi i autobusit të mos përzgjedh tabelë elektronike dygjuhësore dhe me vetë këtë fakt që shoferi nuk do të mund të përzgjedh 'displej' vetëm në maqedonisht por do ta ketë patjetër të zgjedh displej dygjuhësor, do të respektohet tërësisht ligji për përdorimin e gjuhëve", tha Misho Nikollov më 26 shtator.

Ndërkohë Nikollov thotë se gjuha shqipe do të përdoret fillimisht vetëm në disa linja autobusësh, duke harruar në këtë mënyrë se gjuha shqipe është zyrtare në gjithë territorin e Qytetit të Shkupit.

'Në një pjesë të madhe të autobusëve që qarkullojnë në zonat e populluara me shqiptarë d.m.th autobusët me numër 2, 19, 9, 70, 47 ....në të gjithë ata, tabelat elektronike janë dygjuhësore dhe nuk ka mundësi të jenë një gjuhësore', deklaroi Misho Nikollov, drejtor i NTP-së.

Ndërkohë, dredhitë e drejtorit Nikollov kalojnë cakun. Ai theksoi se uebfaqja e Ndërmarrjes Publike është në dy gjuhë, por nga inspektimi ynë, sic mund ta shihni, ky uebsajt nuk ka opsion dygjuhësie. Cdo informacion në këtë faqe, është vetëm në maqedonisht. Drejtori i NTP-së Misho Nikollov, qysh në muajin mars të këtij viti kishte premtuar zgjidhjen e këtij problemi dhe madje për realizimin e tij, kishte njoftuar edhe Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Por deri më sot nuk është bërë asgjë! Për mos përmbushjen e këtij detyrimi, ndaj tij u ngrit padi, po për këtë çështje, hesht edhe Prokuroria Publike. Valmir Kuçi