Analistët: Fjalimi i Gruevskit në Nju Jork, ulërimë në shkretëtirë!

  • 9 years ago
Fjalimi i kryeministrit Nikolla Gruevski mbrëmë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, gjegjësisht kërkesa e tij që OKB-të mos të qëndrojnë duarkryq dhe të ndërmarrin masa që Maqedonia të tejkalojë sa më shpejtë problemin me emrin që e ka me Greqinë nuk ishte asgjë tjetër përveç se një apel abstrakt që i ngjason një ulërime në shkretëtirë. Kështu shprehet ish Ministri i Jashtëm, Denko Maleski. Sipas tij, Maqedonia fillimisht duhet të marrë përkrahjen e fuqive të mëdha botërore e më pas të kërkojë ndihmë nga OKB-të.

'Kishte një ndjenjë të dëshpërimit në fjalimin e kryeministrit Gruevski pasi OKB-ja nuk është Qeveri Botërore, ajo është vetëm një Forum më i madh demokratik në botë në të cilin mund të thuhen problemet e një shteti. Sipas kësaj, këto apele abstrakte të Gruevskit në fundin e fjalimit të tij në OKB, që ata të mos qëndrojnë duarkryq, të ndërmarrin ndonjë masë, nuk do të japin fryt, nevojitet një mënyrë tjetër e aktivitetit nga shteti ynë, të kërkojë përkrahje për idetë e saj, nëse mund ti gjej. Kështu në mënyrë abstrakte të thuhet se OKB-të duhet të ndërmarrin diçka, është ngjashëm si të lëshosh ndonjë ulërimë në shkretëtirë', tha Denko Malevski, analist.

Ndërkohë analisti politik, Alajdin Demiri thotë se Gruevski po troket në derë të gabuar pasi zgjidhja e emrit nuk mund të arrihet nëpërmjet fjalimeve patriotike në OKB, por Maqedonia duhet tentojë të marrë përkrahjen e shteteve të BE-së.

'Ky problem nuk ka zgjidhje në kuadër të OKB-ve. Shtetin e shpie drejtë një pozite të disfavorshme, drejtë izolimit. Fatura është izolimi, ngecje ekonomike, fatura është varfërimi i Maqedonisë dhe ky është realiteti, mirëpo mundësia për zgjidhjen e këtij kontesti unë mendojë se duhet të bartet nga OKB-të në Bashkësinë Evropiane pasi Greqia është anëtare e BE-së dhe Maqedonia është pretendonte për anëtarësim', deklaroi Alajdin Demiri, analist politik.

Edhe ish Ministri i Jashtëm, Maleski por edhe analisti politik Alajdin Demiri thonë se për momentin Maqedonia nuk ka asnjë rrugëdalje sa i përket tejkalimit të çështjes së emrit. Sipas tyre elita politike në vend duhet të ulet dhe të bisedojë me qëllim gjetjen e një formule që do ta shpinte vendin drejt BE-së dhe NATO-së e më pas të mbahen fjalime si ai i një dite më parë në OKB nga ana e kryeministrit Nikolla Gruevski. Valmir Kuçi

Recommended