Poetja indiane që sfidoi botën takim me studentët në Tiranë

  • 9 years ago
TIRANE- Poetja indiane Rajathi Samsudeen, apo siç njihet ndryshe me pseudonimin e saj letrar, Salma, ndodhet për një vizitë të saj në Shqipëri, ku mesditën e të martës, ka qenë e pranishme në një takim me studentët e Universitetit "Polis".

Gjatë këtij takimit, i cili u zhvillua në ambientet e këtij universiteti, poetja indiane u intervistua nga zonja Ermira Shkurti, Drejtuese e Programit të Barazisë Gjinore, PNUD.

Gruaja e gjeti "lirinë" në vargjet e poezive të saj, të cilat i shkruante fshehurazi familjes, për të shprehur forcën dhe entuziazmin e saj për jetën, teksa qëndronte e mbyllur në "burgun" e shtëpisë, ashtu siç e quan ajo.

Takimi u hap me trailer-in e filmit që mban emrin e poetes indiane "Salma".

Ky film do të hapë Festivalin e Filmit të të Drejtave të njeriut, që do të zhvillohet këto ditë në Tiranë. Aktiviteti do të zhvillohet nga "British Council", Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (PNUD), UN Ëomen, Qeveria Suedeze dhe universiteti privat.

Salma, gjatë intervistës së saj, bëri një kronologji të disa momenteve të jetës së saj. Teksa fliste për atë periudhë të errët të moshës së pubertetit, ajo emocionohej teksa kujtonte që nuk kishte qenë e mundur që ajo të ndiqte shkollën, por iu desh të mbyllej në shtëpi, duke pritur vetëm ditën e martesës, si qëllimin e vetëm në jetën e një gruaje.

"Pas moshës së pubertetit më është dashur të mbyllem në shtëpi, nuk më është lejuar të shkoja në shkollë dhe as të dilja nga pragu i shtëpisë, ashtu si shumë moshatare të mijat, në vende të tjera të botës. Mua më bënte përshtypje fakti që vëllai im shkonte në shkollë, dilte të luante dhe jetonte një jetë normale, ndryshe nga unë që isha femër dhe më ishin ndaluar këto të drejta", tregon Salma.

Gjithashtu, ajo u shpreh se nga fëmijëria e saj, ka fokusuar në mendje edhe momentet, kur në ambientin familjar, shihte gjithmonë mamanë e saj e cila gatuante dhe babanë teksa lexonte gazetën, një skenë e cila krijonte shumë pikëpyetje tek ajo.

Gjatë takimit me poeten indiane, studentët e pranishëm, përveçse dëgjuan eksperiencën e saj, lexuan edhe disa nga poezitë e krijuara nga Salma.

Gjithashtu, në ambientet e sallës ku u zhvillua intervista, studentët e pranishëm, formuan edhe simbolin e infinitit si simbol i Fushatës Globale të Luftës Kundër Dhunës ndaj Grave, fushatë e mbështetur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon. Kjo fushatë, përkujtohet çdo datë 25-së të çdo muaji, në mbarë botën.

Recommended