Shkupi përkujton gjenocidin ndaj Çamërisë

  • 9 years ago
'Dita e kujtesës' apo 69 vjetori i dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve nga Çamëria u shënua sot për herë të parë edhe në Shkup. Studiues, intelektualë, personalitete nga fusha e kulturës, shkencës, politikës nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën për të përkujtuar gjenocidin mbi popullatën shqiptare çame të 27 qershorit të vitit 1944. Ata shprehën nevojën për një ndërgjegjësim dhe angazhim më të madh të gjithë shqiptarëve për të zgjidhur çështjen çame.

"Ne e shikojmë çelësin e suksesit të zgjidhjes së çështjes çame pikërisht në konsolidimin dhe përqendrimin e gjithë energjive, potencialeve që kemi ne, solidaritet mbarëshqiptarë për ta shtyrë përpara çështjen dhe për të mundësuar shqiptarëve të Çamërisë t'u kthehen të drejtat e mohuara dhe shqiptarët të mund të kthehen në trojet e tyre. Ne jemi sot këtu për të treguar se populli shqiptar është solidar ndaj komunitetit çam, populli shqiptar nuk harron dhe ne do të rimëkëmbemi dhe do t'ia dalim që shekulli i ardhshëm të punojë për shqiptarët", tha Adri Nurellai, Sekretar i Partisë për drejtësi, integrim dhe unitet.

Për njërin nga organizatorët, Zeqirija Ibrahimi ngjarja e sotme përkujtimore duhet të shërbejë si një nismë për angazhimin edhe të shqiptarëve të Maqedonisë në përpjekjet për fitimin e të drejtave dhe kthimin në trojet e tyre të komunitetit çamë.

"Çamët nuk janë një komunitet i huaj por edhe ata janë bashkëkombës tanë dhe ashtu siç kishim borxh ndaj gjithë shqiptarëve të tjerë në çastet e hidhura të historisë, kemi borxh të ndihmojnë edhe çamët.. ...Shkupi është një epiqendër e shqiptarisë dhe ne nuk duhet ta neglizhojmë këtë fakt. Siç e dini ka aktivitet që zhvillohen në Kosovë, por në Shkup thuajse nuk ka pasur fare', deklaroi Zeqirija Ibrahimi, Shoqata kulturore 'Vizioni M'.

Përveç shoqatave civile, për profesorët dhe studiuesit nga Shqipëria dhe Kosova institucionet shtetërore duhet të ngrenë zërin më fuqishëm ndaj padrejtësive që u bëhen edhe sot çamëve. Sipas tyre pa zgjidhjen e çështjes çame nuk do të ketë zgjidhje për çështjet e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.

"Shqiptarët ortodoksë të krahinës vazhdojnë të jetojnë por ata janë nënshtruar një gjenocidi gjuhësor, kulturor sepse u ndalohet arsimimi në gjuhën shqipe, pjesëmarrjen në administratën shtetërore dhe identifikohen me grekët.. Pa zgjidhjen e çështjes çame nuk ka zgjidhje të çështjes kombëtare shqiptare në Ballkanin Perëndimor..", u shpreh Selman Sheme, profesor universitar, Shqipëri.

"Çështja çame është çështje e dhimbshme për mbarë popullin shqiptar. Kjo plagë e dhimbjes ndodhi që në vitin 1913 gjegjësisht me Konferencën e Ambasadorëve në Londër, kur Çamëria padrejtësisht u shkëput nga trungu kombëtar. Masakrimet dhe përjetimet e popullit çam ishin të tmerrshme në vazhdimësi sidomos masakrimet e Gjeneral Zervës", tha Lush Culaj, profesor universitar, Kosovë.

Manifestimi i sotëm 'Trëndafili i Çamërisë' u organizuar në kuadër të 'Javës çame', e cila karakterizohet me aktiviteteve të ndryshme kulturore d...

Recommended