OKB: Pushteti kërcënon mediat kritikuese

  • 9 years ago
Përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së për lirinë e shprehjes Frank La Ru drejtoi një sërë kritikash mbi funksionimin e mediave në Maqedoni. La Rru tha se mediat që kanë qasje kritike ndaj pushtetit janë në shënjestër të presioneve të vazhdueshme dhe frikësohen nga pushteti. Eksperti ndërkombëtar nënvizoi se Maqedonia ka ligje të mira por problemi qëndron në zbatimin praktik të tyre.

"Vlerësimi im i përgjithshëm është se sistemi legjislativ i Maqedonisë është i avancuar por e njëjta gjë nuk vlen për sa i përket zbatimit të ligjeve në praktikë dhe politikave në realitet. Unë mund të konstatoj një tendencë të frikësimit të gazetarëve kritik apo gazetarisë hulumtuese sikurse përdorimit të fjalorit homofobik ndaj grupeve të ndjeshme në shoqëri. Mendoj se në Maqedoni eksiton atmosferë frikësuese ndaj çdo forme të medias kritike që merret me çështje specifike hulumtuese apo kritikuese ndaj funksionarëve aktual në qeveri", tha Frank La Ru, përfaqësues i OKB-së për mediat.

I dërguari i posaçëm i OKB-së si shembuj konkret të presionit ndaj mediave përmendi mbylljen e televizionit A1 dhe tre gazetave të tjera si dhe mungesën e ekspertizës rreth vdekjes së pronarit të gazetës 'Fokus'. Ai gjithashtu theksoi se Gjykata penale ka penguar atë të vizitojë gazetarin Tomisllav Kezharovski i cili gjendet në paraburgim. La Ru rekomandoi rishikimin e ligjit të ri për media i cili sipas tij ka tendencë të kufizojë veprimin e gazetarëve. Këto komente i dërguari i posaçëm i OKB-së i bëri në kuadër të vlerësimeve paraprake të raportit mbi gjenden e mediave në vend, versioni final i të cilit do të publikohet vitin e ardhshëm në Këshillin për të drejtat e njeriut të OKB-së. Edhe Komisioneri për zgjerim Shtefan Fyle në Konferencën e djeshme mbi lirinë e mediave nga Brukseli kritikoi Maqedoninë për mungesën e lirisë së shprehjes dhe varësinë e mediave ndaj politikës. Semra Jakupi

Recommended