Gjendja në burgje, asnjë përmirësim!

  • 9 years ago
Stacionet policore, burgjet dhe spitalet psikiatrike vazhdojnë të mbeten institucionet ku shkelen më shumë të drejtat e personave të privuar nga liria. Një konstatim i tillë erdhi sot, nga Mekanizmit Parandalues Nacional në raportin e dytë për vitin 2012 të publikuar nga Avokati i Popullit Ixhet Memeti. Sipas Memetit, gjatë realizimit të 32 vizitave në institucionet në fjalë, shqetësues është fakti i mbipopullimit në burgje, kushtet johumane dhe nënçmuese si dhe mos realizimi i të drejtës për arsim dhe kurimit.

"Ekipi konstatoi zbatim të pjesshëm të dispozitave të ligjit për ekzekutimin e sanksioneve si dhe mbipopullim, ndërkaq konstatoi kushte jo humane dhe nënçmuese, u vlerësuan edhe kushtet të tjera të vendosjes në dhomat e izolimit. Personat e vendosur në dhomat e paraburgimit qëndrojnë në standarde minimale në të cilat kalojnë bile edhe 23 orë brenda ditës. Edhe në këtë vit konstatuam dobësi në realizimin e mbrojtjes shëndetësore në burgje, qasje dhe kualitet i shërbimeve jo i kënaqshëm dhe jo çdo herë vendoset raporti mjek-pacient, njëkohësisht edhe më tej nuk realizohet e drejta e arsimit dhe e angazhimit me punë", tha Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Memeti gjithashtu bëri të ditur se në pjesën më të madhe të stacioneve policore, ambientet e ndalimit nuk i plotësojnë aspak standardet ndërsa aty ku janë ndërtuar ambiente të reja, ato nuk janë vënë ende në përdorim.

"Gjithashtu konstatuam se në stacionet policore nuk ekzistojnë ambiente të posaçme për kontrollin e personave të ndaluar ndërsa, në disa prej tyre edhe pse ekzistojnë ambiente të tilla vazhdon që të shfrytëzohen zyra e inspektorëve policor, gjë që nuk është në rregull. Në disa stacione policore hasëm edhe në zyra të nëpunësve, në të cilat vërejtëm sende të cilat e rrisin rrezikun nga lëndimet ose vet lëndimet e personave të privuar nga liria", u shpreh Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Avokati i Popullit i rekomandon organeve dhe institucioneve, të përforcojnë dhe thellojnë bashkëpunimin me të, si dhe të rritin shkallën e zbatimit të rekomandimeve të Mekanizmit Nacional Parandalues. Gjithashtu, organet e administratës shtetërore duhet të dërgojnë përgjigje për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit i cili ka të bëj me kushtet, trajtimin dhe realizimin e të drejtave të personave në vendet e privimit nga liria. Melihate Rustemi

Recommended