Hoxha: Implementimi i MO-së, obligim i çdo Institucioni

  • 9 years ago
Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ka përgatitur një raport lidhur me zbatimin e të gjitha politikave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit dhe të njëjtin ia ka dorëzuar Komisionit Evropian. Ndryshe, sipas zëdhënësit të Qeverisë, Muhamet Hoxha, bëhet fjalë për një raport të detajuar i cili paraqet një nga kushtet për zhvillimin e dialogut të nivelit të lartë, mes Maqedonisë dhe BE-së.

"Në këtë raport i cili është edhe obligim të cilin Maqedonia e ka ndaj BE-së i është dorëzuar Komisionit Evropian dhe i njëjti është një nga kushtet që në dialogun e nivelit të lartë që Maqedonia i zhvillon me Komisionin Evropian. Raporti në fjalë përmban të gjitha politikat të cilat burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, sa kjo marrëveshje është implementuar gjatë dekadës së parë dhe masat të cilat do të ndërmerren për implementimin e tij në të ardhmen. Ky raport është obligim që Maqedonia, respektivisht qeveria e RM-së e ka ndaj BE-së, për arsye se në mënyrë të detajuar, analizohen dhe shkruhen të gjitha të arriturat që janë bërë në implementimin e këtij dokumenti paqësor si dhe një bazë për të implementuar në të ardhmen këtë dokument", deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës i qeverisë.

Raporti fillon me përshkrim të shkurtër të rrethanave në të cilat është nënshkruar dhe miratuar Marrëveshja Kornizë e Ohrit, me citimin e deklarimeve dhe të këndvështrimeve të personave kyç, të cilët kanë qenë të përfshirë në proces, si dhe të personaliteteve të rëndësishëm nga politika e vendit për rëndësinë, qëllimet dhe efektet e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Kapitulli 1 ka të bëjë vetëm me të dhënat sasiore, kryesisht janë prezantuar aktivitetet faktikisht të ndërmarra duke mos hyrë në analizimin e cilësisë së funksionimit të institucioneve të vendosura ose të ligjeve të miratuara. Kapitulli II ka të bëjë me implementimin e Marrëveshjes, ku në mënyrë sasiore vlerësohet niveli i implementimit dhe dispozitat e parashikuara në Marrëveshje, si dhe korniza e miratuar ligjore pas nënshkrimit të saj. Në Kapitullin II është bërë pasqyrim i detajuar i legjislativit dhe prezantim i të dhënave të qasshme në lëmitë vijuese: decentralizim, mos-diskriminim, përfaqësim i drejtë, arsimim, përdorim i gjuhës. Bedri Rexhallari

Recommended