Ismaili: Agjerimi nuk është i obligueshëm për personat në moshë dhe të sëmurë

  • 9 years ago
Agjërimi është obligim fetar për çdo besimtarë mysliman të moshës madhore të qëndrueshëm psiko-fizik, mirëpo nuk është i domosdoshëm për personat e shtyrë në moshë dhe të sëmurët. Sipas, teologut Qenan Ismaili janë disa kategori njerëzish të cilëve u lejohet të mos agjërojnë. Mes tyre janë personat më sëmundje të përhershme, atyre të cilëve nga agjërimi u kanoset rreziku për dëmtim të ndonjë organi, pastaj gratë shtatzëna, gjidhënëset, personat me problem psikike si dhe udhëtarët të cilët gjatë muajit të Ramazanit janë të detyruar të udhëtojnë më shumë se 81 kilometra.
"Një kategori që lejohet prishja e agjërimit është edhe kategoria e pleqve, që janë të shtyrë tepër në moshë dhe që shohin se ju vështirësohet shëndeti apo e kanë shumë vështirë ta përballojnë agjërimin, dhe atyre u lejohet prishja e agjërimit. Këtu disa dijetar kanë thënë po që se më vonë, gjatë dimrit e sheh se është më i qëndrueshëm, u lejohet apo obligohen që të agjërojnë brenda stinës së dimrit. Po që se e vërejnë që sërish nga mosha e tyre nuk do të mund të agjërojnë atëherë ato edhe nuk duhet të kompensojnë me agjërim, por e kompensojnë me pagesën e fidjes, do të thotë me çmimin e fitrës që është këtu te ne, për çdo ditë të agjërimit", tha Qenan Ismaili, imam.
Në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për personat të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike dhe jo shëruese. Mirëpo siç sqaron, teologu Qenan Ismaili, personat në fjalë pagesën e fidjes duhet ta bëjnë ndaj personave të varfër.
"Këta kategori njerëzish duhet të paguajnë fidje, d.m.th të paguaj sasinë e fitrës, të ushqej një të varfër me ushqim sikur që ai e shfrytëzon në përditshmërinë e vet dhe mund t'a jep, në veçanti potencohet të varfërve edhe pse dijetarët e kanë lejuar për ata që ju takon zeqati, pra nevojtarëve, kategorive që i përmend Allahu në Kur'an, u lejohet që t'ju jepet fidja. Po ne veçanti këtu duhet të potencojmë, të varfëritë janë ata që kanë prioritet. Lejohet edhe çdo ditë, mirëpo më e mira është që të bëhet në fund të agjërimit sepse ndoshta dikush e ndjen veten të lodhur ditën e parë dhe të dytë, mirëpo ditën e tretë mund ta ndjej veten mirë dhe mund të agjëroj. Do të thotë që në fund të Ramazanit i paguan ditët që nuk ka arritur ti agjëroj", u shpreh Qenan Ismaili, imam.
Ismaili veçanërisht potencon se personat më sëmundje të caktuara është me rëndësi të marrin mendimin e mjekut nëse munden të agjërojnë. Ai madje shton se edhe feja islame nuk lejon që i sëmuri të vendos vet të agjëroj, për shkak se agjërimi nuk lejohet të jetë shkak i përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të njeriut. Melihate Rustemi

Recommended