PDSH: 'BDI-së nuk i del matematika!'

  • 9 years ago
'45 mijë punësime për maqedonasit dhe vetëm 1817 për shqiptarët, ky është realiteti i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në tre vitet e fundit'. Me këto shifra deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu kundërshtoi deklaratën e kreut të BDI-së Ali Ahmeti lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve, i cili theksonte se BDI-ja ka realizuar 9 mijë punësime për shqiptarët. Për Fazliun e PDSH-së kjo është një imagjinatë e sëmurë dhe paranoike, pasi përfaqësimi i shqiptarëve me BDI-në jo që nuk ka shënuar rritje, por përkundrazi ka shënuar rënie drastike.
"Prej vitit 2009, nëpër institucionet shtetërore janë punësuar mbi 40 mijë maqedonas, ndërsa shqiptarët nga të dhënat e Agjencisë për Administratë, në vitin 2009 janë punësuar 701 qytetarë, pjesëtarë të bashkësive që nuk janë shumicë. Po supozojmë se janë shqiptarë që të gjithë... Në vitin 2010 janë punësuar 573, në vitin 2011, 543. Gjithsej për tre vjet, BDI ka punësuar 1817 shqiptarë, ndërsa MRO-DPMNE 45 mijë maqedonas. Në botën imagjinare të BDI-së dhe Alisë 1817 punësime mund të bëhen 9 mijë, por as në imagjinatën e tyre 1817 punësime nuk mund të bëhen 45 mijë, sa kanë punësuar maqedonasit", u shpreh Bekim Fazliu, PDSH.
PDSH-ja u ndalë edhe në konkursin e para disa ditëve në spitalin e Qytetit ku nuk u pranua asnjë mjek shqiptar, si dhe konkursin e fundit për policë.
"9 mijë punësimet imagjinare të Alisë, në realitet janë 0 punësime. Vetëm para disa ditëve në konkursin për pranimin e mjekëve në spitalin e qytetit të Shkupit asnjë shqiptarë nuk u pranua, dje ndodhi e njëjta gjë në konkursin për pranimin e policëve, asnjë shqiptarë nuk u pranua. Të përkujtojmë atë se në 495 institucione shqiptarët janë të përfaqësuar me 0", deklaroi Bekim Fazliu, PDSH.
Ditë më parë kreu i BDI-së Ali Ahmeti duke komentuar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve nëpër institucione, u shprehë i kënaqur me nivelin e përfaqësimit të arritur deri tani. Sipas tij nga viti 2008 deri në 2011, janë punësuar rreth 9000 administratorë shqiptarë. Bedri Rexhallari