Gruevski nuk merakoset nga ngecja që shënon vendi!

  • 9 years ago
Rënia e Bruto Prodhimit Vendor nuk duhet të na befasoj pasi paraqet shok të jashtëm, kështu u shpreh kryeministri Nikolla Gruevski duke komentuar të dhënat e fundit të publikuara nga Enti shtetëror i statistikës. Ai u shpreh i bindur që edhe këtë krizë ekonomike në të cilën gjendet BE, Maqedonia do ta tejkalojë me sukses siç e tejkaloi edhe krizën botërore ekonomike në vitet 2009-2010. 'Jetojmë në kohë që është e pazakontë për rrjedhat ekonomike por bëjmë gjithçka që çështjet të ecin në rrugë të mirë', tha kryeministri Gruevski.
"Nuk guxon kjo të na befasoj duke pas parasysh se çfarë ndodh në Europë. Europa është në nivelin më të lartë të krizës së saj të borxheve. Unë shpresoj se së shpejti çështjet në BE do të fillojnë të rregullohen dhe efektet negative nga atje do të ulen ndërsa nga ana tjetër ne do të vazhdojmë me ndërmarrjen e masave me të cilat do ta zbusim këtë krizë që vjen nga jashtë. Ky është shok i jashtëm i cili po na ndodh në vazhdimësi disa herë", deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.
Sipas të dhënave të Entit shtetëror të statistikës në tre mujorin e këtij viti bruto prodhimi vendor ka shënuar rënie prej 1,4 për qind edhe atë, sektori i ndërtimtarisë ka shënuar rënie prej 9,8 për qind, xehetaria, industria e përpunimit dhe furnizimi me energji elektrike, gaz dhe ujë prej 9,6 për qind dhe sektori i komunikacionit prej 0,1 për qind.
Në këtë periudhë edhe eksporti I mallrave dhe shërbimeve ka shënuar ulje prej 3,7 për qind ndërsa importi për 4,6 për qind. Shpenzimet e amvisërive në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë shënuar rritje prej 2 për qind. Numri i të papunëve në Maqedoni sipas të dhënave të fundit të entit të statistikave është 31.6 për qind. Gjyltene Rexhallari

Recommended