LSDM: Qeveria ka ngecur në dialogun paraqasës

  • 9 years ago
Në prag të vizitës së komisionerit për zgjerim Shtefan Fyle, LSDM-ja opozitare ka bërë një analizë të dialogut paraqasës që qeveria nisi me BE-në më 15 mars. Sipas LSDM-së nga 15 marsi e këndej, jo vetëm që nuk është shënuar asnjë progres, por përkundrazi, është shënuar ngecje dhe kthim prapa në të gjitha fushat që përfshihen në kapitujt 23 dhe 24, përkatësisht në media, gjyqësor, administratë, ekonomi dhe proces zgjedhor. Kryetarja e Këshillit Diplomatik të LSDM-së Ilinka Mitreva u shpreh se Dialogu paraqasës nuk do të thotë fillim i dialogut për anëtarësim në BE, përkundrazi i paraqet vërejtjet serioze Qeverisë përgjatë përmbushjes së kushteve euro-integruese.
"Ja imazhi në fushat e lartpërmendura nga vizita e fundit e komisionerit Fyle e deri më sot: Mediat: 'Freedom House' e rrëzoi Maqedoninë për 15 vende më poshtë në indeksin botëror për lirinë e mediave. Këshilli për radiodifuzion u vu nën kontroll të Qeverisë. Gjyqësori; me zgjedhjen e tre gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, të afërt me pushtetin u shemb edhe shtylla e fundit kundër politizimit të Gjyqësorit. Administrata, jo vetëm që vazhdon punësimi mbi baza partiake, por ata që janë të afërt me VMRO DPMNE-në druajnë për shpërndarje nëpër vende joadekuate. Ekonomia, çfarë të them për rishikimin skandaloz të buxhetit i cili ka heq dorë nga çdo përkujdesje për standardin e qytetarëve", deklaroi Ilinka Mitreva, kryetare e këshillit Diplomatik të LSDM-së.
Mitreva theksoi se porosia e Brukselit është e qartë; as statusi kandidat nuk është i përhershëm dhe as rekomandimi për fillim të negociatave nuk është i domosdoshëm të jetë në secilin raport që do të pasojë.
"Kontesti me Greqinë është i rëndë për integrimin tonë, por ai nuk mund të jetë mbulesë për të gjitha dështimet e qeverisë. Ndaj i bëjmë apel qeverisë që të ndërmarrë masa konkrete në drejtim të realizimit të reformave, para se të jetë shumë vonë", u shpreh Ilinka Mitreva, kryetare e këshillit diplomatik, LSDM.
Mitreva kujtoi kontributin e partisë së saj rreth fushave të theksuara por se të gjitha iniciativat janë hedhur poshtë nga maxhoranca. Ajo theksoi se prapëseprapë LSDM-ja do të vazhdoj iniciativat e tilla sepse qytetarët e meritojnë që të luftohet për perspektivën euroatlantike të vendit. Bedri Rexhallari

Recommended