Mediat serbe përshkruajnë rrugën e klandestinëve kosovarë drejt BE

  • 9 years ago
“Përmes linjave të shumta autobusësh në stacionin e Suboticës arrijnë çdo ditë të paktën 500 shqiptarë nga Kosova. Ata kanë zgjedhur këtë rrugë për të ikur në shtetet e BE-së”. Kështu e nisin mediat serbe përshkrimin e eksodit të kosovarëve që largohen nga atdheu i tyre në drejtim të Hungarisë, nëpër një rrugëtim të vështirë në kalimet kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë.

Këto pamje shfaqin peripecitë e shumë prej emigrantëve të paligjshëm, mes të cilëve dhe fëmijë fare të vegjël. Sipas autoriteteve Serbe prej rreth katër javësh ka patur një shtim të madh të numrit të udhëtarëve kosovarë drejt Serbisë, nga ku më pas synojnë Hungarinë, por se gjatë 10 ditëve të fundit ky numër është rritur akoma më shumë.
Udhëtarët janë kryesisht të rinj dhe disa janë familjarë me fëmijë. Fenomeni i largimeve është vënë në fokus të medive dhe institucioneve europiane në Europë, të cilët u bëjnë thirrje qytetarëve të mos largohen nga vendi, sepse askush nuk do t’u japë azil dhe do të kthehen sërisht në Kosovë.

Përveç kësaj ata bëjnë thirrje të mos shpenzojnë para dhe të mos lejojnë të mashtrohen nga trafikues ilegalë, pasi kështu dëmtojnë dhe premisat e vendit në rrugën drejt integrimit në BE. Autoritetet policore të Serbisë kanë arrestuar dhe penguar kalimin e shumë prej emigrantëve, por një pjesë e mirë e tyre arrijnë të kalojnë pa problem dhe këto janë disa nga pamjet e grupeve ilegale përgjatë kufirit me Hungarinë.

Autoritetet kosovare nga ana tyre kërkojnë bashkëpunimin e qytetarëve për të mos u larguar ashtu si dhe të institucioneve serbe dhe europiane për kthimin e azil kërkuesve të rremë.