Daçiç: Konferencë historike, takimi i radhës në Kosovë pas qeverisë së re

  • 10 years ago
BEOGRAD- Ministri i Jashtëm u Serbisë Ivica Daçiç e ka cilësuar si të suksesshëm konferencën e Ministrave të Jashtëm dhe të Ekonomisë të vendeve të Ballkanit që u mbajt sot në Beograd. Sipas tij takimi i radhës do të organizohet në Prishtinë sapo të jetë krijuar qeveria e re. “Konferenca u shoqërua nga një atmosferë pozitive dhe shërben si një tregues për ndryshimin e situatës në Ballkan”, tha Daçiç gjatë konferencës së përbashkët për shtyp ku u prezantuan edhe konkluzionet e këtij takimi.

Siç raporton "B92", Daçiç nuk la pa përmendur edhe incidentet e 14 tetorit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri në stadiumin Partizani në Beograd, që sipas tij tregojnë se sa kohë nevojitet për të arritur stabilitetin rajonal dhe sa pak duhet për ta prishur këtë stabilitet.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj gjithashtu pjesëmarrës në këtë konferencë tha se Beogradi dhe Prishtina duhet të nënshkruajnë një marrëveshje paqe përpara se Serbia të anëtarësohet në BE.

Ndërsa e cilësoi si historike këtë konferencë, Hoxhaj tha se procesi I normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve duhet të përfundojë me pranimin e Kosovës në OKB, të cilën Beogradi nuk duhet ta bllokojë. Duke komentuar mbi incidentet në Serbi gjatë ndeshjes me Shqipërinë, Hoxhaj tha se ato tregojnë pikërisht se sa e brishtë është situate në rajon.

Për komisionerin europian të Zgjerimit Stefan Fule, që ndodhet tashmë në fund të mandatit të tij, kjo konferencë nuk ishte thjesht një takim rajonal por europian.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë marrë përsipër obligimin për të vazhduar me programet e tyre të reformave çka i çon një sinjal pozitiv investitorëve. Gjithashtu në takim u diskutuan edhe çështje si përmirësimi i transportit dhe energjisë në rajon. BE është gati që të mbështesë lidhjet mes vendeve përmes donacioneve nga fondet IPA me një vlerë totale deri në 10 miliard euro brenda vitit 2020, çka do të thotë se kemi kaluar nga fjalët tek veprat”, tha Fule.

Takimi i Ministrave të Jashtëm dhe të Ekonomisë nga vendet e të rajonit që u mbajt sot në Beograd u organizua gjatë Konferencës së Ballkanit Perëndimor në Berlin në fund të gushtit të këtij viti me iniciativën e kancelares gjermane Angela Merkel.