'Dy të moshuar s'kanë lënë shtëpinë', alarmi fals shtyn me 50 minuta shembjen e 12 katëshit

  • 3 years ago
DURRËS- Pas një muaji punë, forcat Xhenio kanë bërë të mundur shembjen e pallatit 12 katësh në lagjen numër 17 në Durrës, i cili kishte marrë dëme të mëdha nga tërmeti i 26 nëntorit. Procesi për shembjen e tij ishte parashikuar që të niste në orën 16:00, por ajo u shty pas informacioneve se dy të moshuar nuk kishin lënë banesat e tyre. Pas kontrolleve të bëra rezultoi se kishte qenë një alarm i rremë. Për shembjen e tij u hapën mbi 3000 furnela dhe u angazhuan tre mjete transporti, një agregat dhe 39 specialistë të batalionit të xhenios. Deri më tani nuk raportohet për dëme të tjera në banesa.

Ky operacion është konsideruar si ndër më të vështirët nga forcat xhenio, ku pak ditë më parë IKMT kreu disa shpërthime të kontrolluara me qëllim dobësimin e strukturës së këtij pallatit, për ta finalizuar shembjen ditën e sotme.
"Specialistët EOD të Batalionit të Xhenios në Komandën Mbështetese në bashkëpunim me Inspektoriatin Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit (IKMT) bënë të mundur shkatërrimin e pallatit 12 katësh ne lagjen nr 17 të bashkisë Durrës, të dëmtuar në nëntorin e vitit të kaluar. Ky është konsideruar një nga operacionet me të vështira deri më tani, pasi u desh një punë voluminoze për hapjen e mbi 3000 furnelave nga ekspertet e batalionit te xhenios. Kjo punë ka filluar që në muajin korrik 2020 dhe u finalizua mbasditen e kesaj te shtune. Për realizimin e këtij operacioni u përdor një sasi e konsiderueshme lënde plasëse, tre mjete transporti, një agregat dhe 39 specialistë të batalionit të xhenios. Gjatë operacionit nuk pati probleme", njofton IKMT.