Viti i ri shkollor/ Policia masa të shtuara! Efektiv në nisje të mësimit e ndërrimit të turneve

  • 3 years ago
Me nisjen e vitit të ri, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara për rendin dhe sigurinë. Në shkolla e ambientet përreth prezencë e shtuar efektivësh në nisje të mësimit e ndërrimit të turneve, të cilët do të ruajnë komunikime me stafin pedagogjik.

Masat e marra nga policia
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2020-2021, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash, për të garantuar rendin, me qëllim zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla dhe sigurinë rrugore për nxënësit që kanë shkollat buzë rrugëve apo që kalojnë nga njëri krah i rrugës në tjetrin.

Në këtë kuadër, me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, strukturat vendore të Policisë kanë hartuar Planet e Masave me detyra konkrete për Patrullat e Përgjithshme, Policinë kriminale, Policinë Rrugore dhe për ndihmësspecialistët e zonave, duke përcaktuar në mënyrë të detajuar detyrat që do kryejnë punonjësit e Policisë me shërbim pranë shkollave, por edhe duke monitoruar zbatimin e masave mbrojtëse kundër COVID-19.

Në të gjitha shkollat e vendit dhe përreth ambienteve të tyre do ketë prezencë të shtuar të Policisë së Rendit dhe të Policisë Kriminale, me qëllim vlerësimin, sqarimin në kohë, ndjekjen me përparësi të informacioneve për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në këto ambiente apo përreth tyre.

Patrullat e Përgjithshme, ndihmësspecialistët e policimit në komunitet, ndihmësspecialistët e Policisë Kriminale dhe shërbimet e Policisë Rrugore do të jenë prezent në afërsi të institucioneve arsimore, sidomos në orarin e fillimit të mësimit apo gjatë ndërrimit të turneve në shkolla dhe deri në përfundim të procesit mësimor.

Recommended