Top News - Vera, stina e krimit/ Konfliktet importohen nga jashtë

  • 4 years ago
Që prej datës 20 korrik Shqipëria ka shënuar shifra të frikshme të kriminalitetit në vend. Nuk bëhet fjalë për vepra penale të lehta, por nga ato që sjellin pasoja të rënda për rendin dhe sigurinë publike.
Në Elbasan, Tiranë, Fier, Gjirokastër e Vlorë ka pasur vrasje e plagosje, në shumë raste të lidhura mes tyre. Këto janë vetëm pak raste të krimeve që kanë ndodhur në harkun kohor të pak ditëve, por shumë më shumë kanë ndodhur që nga qershori.

Por përse në sezone të caktuara sikurse gjatë verës, kurba e kriminalitetit rritet? Specialistë të ndryshëm i referohen studimeve ndërkombëtare, por edhe librit "Kriminologji" që studiohet nga juristët, ku thonë se mes faktorëve nxitës llogariten edhe temperaturat e larta.
Pranohen ndikimi i temperaturave të larta jo për të gjitha llojet e veprave penale, por për një pjesë të veprave penale që lidhen me pasurinë, dhe me krimet e dhunshme, siç mund të jenë zënkat, rrahjet, plagosjet dhe vrasjet.

Por, zyrtarë të tjerë të Policisë, që bëjnë një krahasim mes stinësh duke përfshirë edhe dimrin, e përjashtojnë kategorikisht atë që thuhet për temperaturat e larta.
Sipas njërit prej ekspertëve të Policisë, që nuk dëshiron të identifikohet për shkak se nuk është më pjesë e strukturave të Policisë dhe do të keqinterpretohen këto që thotë, bën me dije se krimet e rënda ndodhin edhe për shkak të mungesës së informacionit që ka policia, bashkëpunimit joefektiv me partnerë në vendet ku jetojnë këta persona me precedentë kriminalë.

"Problemi kryesor për policinë kanë qenë konfliktet e importuara nga emigrantët nga jashtë, në përgjithësi këto janë vepra penale që është shumë e vështirë dhe për shkak të mungesës së informacionit që ka policia, bashkëpunimit jo real dhe joefektiv me partnerë në vendet ku jetojnë këta persona me precedentë kriminalë në mënyrë që në momentin që hyjnë në territorin shqiptar të kenë informacionin e nevojshëm se çfarë tendencash kanë dhe me çfarë aktiviteti merren" thotë ai.
Çdo hesap që nuk është larë ndër vite gjen rrugën e lirë në Shqipëri, për shkak të hapësirave që të krijohen nga mos mbajtja nën kontroll e të gjithë territorit, por edhe mundësia për t'u larguar në kohë.
Ndërkohë, ekspertët thonë se Policia duhet tregohet e kujdesshme në zonat ku ka shtim të banorëve, kryesisht në sezonin veror. "Policia duhet të evidentojë më saktë problematikat që ka, përpara se të fillojë sezoni duhet të planifikojë zonat ku popullsia është më e përqendruar ku mund të themi trefishohet ose katërfishohet numri i banorëve".


Top News është televizion informativ, i hapur në shkurt të vitit 2007. I konceptuar si format news, prioritet i saj është informimi i publikut përmes lajmit të fundit. Lidhje live për politikën, aktualitetin, kronikën, ekonominë, rajonin, botën, sportin, teknologjinë dhe show biz-in. ? Informohu i pari? , slogani për 24 orë lajme . Sjellim ndryshe realitetin mediatik në Shqipëri, ofrojmë një burim informacioni të saktë, të shpejtë, të besueshëm dhe të thelluar.

Për më shum...

Recommended