Inspektorati, gjoba ndaj 12 objekteve gastronomike

  • 4 years ago
Inspektorati i Tregut ka filluar me ndëshkimin e gastronomëve që nuk i respektojnë protokollet e përcaktuara për punë. Këtë fundjavë, 11 objekte gastronomike në mbarë Maqedoninë janë sanksionuar me kallëzime kundërvajtjeje kurse ndaj një lokali është shqiptuar edhe kallëzim penal. Gjoba kanë marrë lokale në Shkup, Dibër, Strugë dhe Tetovë. Është mbyllur një park në Lisiçe të Epërme. Pamja ka qenë e tmerrshme. Nuk është respektuar asnjë masë parandaluese, kurse ky lloj i veprimtarisë nuk guxon të funksionojë.

Në 12 objekte nuk është respektuar rregulli për grupim të më shumë njerëzve, nuk ka pasur distancë midis tavolinave, njerëzit kanë ardhur në grupe. Mysafirë ka pasur edhe brenda ambienteve. Kemi mosrespektim të orarit të punës edhe pas orës 22 - tha Stojko Paunovski, drejtor i Inspektoratit të tregut.

Rregullat e përcaktuara nga Komisioni për Sëmundje Infektive do të mbeten të njëjta. Mund të ketë ndryshime në detaje të caktuara të protokolleve, thekson për Alsat Armend Arsllani, anëtari i Komisionit dhe zëvendës ministër i Shëndetësisë.

Apeloj që vetëdija e qytetarëve kur i vizitojnë ambientet gastronomike të jetë në nivel më të lartë. Të respektohet rekomandimi dhe nëse në një tavolinë ulen më shumë se dy njerëz, duhet të jenë nga rrethi më i afërt i familjes -u shpreh Armend Arsllani, zv. Ministër i shëndetësisë.

Martin Angellovski, përfaqësuesi i gastronomeve tha se disa raste negative në tërë territorin e vendit nuk duhet ta prishin imazhin e përgjithshëm.

Mosrespektim ka në të gjitha aspektet e jetës sonë, për këtë ka sanksione, por është e padrejtë kur të gjithë futen në një kosh. Problemi më real është se sa gastronomët do të jenë në gjendje të kalojnë krizën dhe t'i mbajnë punonjësit - deklaroi Martin Angellovski, përfaqësues i gastronomeve.

Inspektorati beson se për dallim nga dita e parë kur u hapën kafenetë, gastronomët dhe mysafirët tanë janë më të disiplinuar.

Ile Petrevski

Recommended