Report TV - Mashtruesi nga Azerbajxhani i vjedh sy më sy kambistit në Fier 50 mijë euro
  • 4 years ago
FIER - Një vjedhje spektakolare ka ndodhur më 11 shkurt në një pikë këmbimi valutor. Një person i huaj i cili është prezantuar si nga Azerbajxhani, ka shfrytëzuar shpërqendrimin e kambistit, për të vjedhur një çantë me 50 mijë euro, dhe t'i lë mbi tryezë një çantë bosh! Për ngjarjen ka nisur një hetim dhe pritet të mësohet nëse personi i huaj, ende i pa arrestuar, ka kryer apo jo edhe më herët skema të tilla mashtrimi duke vjedhur vlera të konsiderueshme parash. Sipas pronarit të këmbimit valutor, personi me shtetësi të huaj kishte pasur raport me të prej një jave pasi kishte këmbyer disa herë valutë,ndoshta për të fituar besimin e tij, derisa më 11 shkurt bëri vjedhjen e 50 mijë eurove.

Por si ndodhi ngjarja?

Shtetasi i huaj ka hyrë në pikën e këmbimit valutor me një valixhe në dorë, me kod, dhe i ka thënë kambistit se do të 'thyejë' dollarë, duke blerë 50 mijë euro. Por teksa kambisti ka qenë duke numëruar paratë, shtetasi i huaj që besohet se është nga Azerbajxhani, ka shfrytëzuar një moment shpërqendrimit të tij, dhe ka marrë çantën me euro, duke thënë se do të shkojë në bankë të tërheq dollarë me të cilët do të blinte eurot, dhe është larguar. Në dyqan ka lënë valixhen e tij me kod, ku pasi ka pritur gjatë, kambisti ka vënë re mungesën e 50 mijë eurove, dhe është detyruar të hapë me forcë valixhen e koduar duke shpresuar se të paktën brenda saj do të gjendeshin eurot. Por valixhja ka qenë bosh, pasi jashtë syrit të tij, autori kishte vepruar duke i marrë të 50 mijë eurot!

Autori është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa qetësisht del nga pika e këmbimit valutor dhe mban në duar çantën mbushur  me 50 mijë euro.
Recommended