Italia ne alarm nga koronarovirusi, 2 viktima

  • 4 years ago
Koronavirusi ka vënë në alarm autoritetet italiane. Vetëm gjatë orëve të fundit dy të moshuar kanë humbur jetën, pasi në teste rezultuan të infektuar. Në dy ditë numri i të infektuarve ka arritur në 51, ku shumica, 39 pacientë janë shënuar në disa qyteza pranë Milanos, të tjerët në rajonin e Venetos.

Viktima e parë ishte një 78-vjeçar, i cili ishte shtruar për kurim në spitalin e Padovës që përbën edhe të parin shtetas nga vendet europiane që humb jetën nga ky virus.

Ndërsa një 75-vjeçare ndërroi jetë në Casalpusterlengo. 450 persona të tjerë janë nën kontroll, të dyshuar si bartës. Janë mbi 10 qytezat, ku po aplikohen masa të ashpra për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të mos dalin nga shtëpitë në qytezat Codogno, Castelpusterlengo dhe Castilione d?Ada, ku janë mbyllur shkollat, institucionet publike dhe baret e restorantet. Të paktën 50 mijë banorë janë prekur nga alarmi i kuq.

Dyshime ka që të gjitha rastet e infektimit e kanë origjinën nga një 38-vjeçar, i cili të premten rezultoi pozitiv në teste dhe aktualisht është në gjendje të rëndë, por të stabilizuar.

Alarm edhe në Korenë e Jugut, numri i të prekurve është dyfishuar gjatë orëve të fundit duke arritur në 433, shifra më e lartë jashtë Kinës. Në Iran, koronavirusi u ka marrë jetën 5 personave, ndërsa në gjendje alarmi janë thuajse gjithë vendet e Gjirit Persik.

Në Kinë, ritmet e përhapjes po ngadalësohen. Numri i viktimave në 26 vendet e prekura të botës ka arritur në 2360 dhe 77.662 ai i të infektuarve.

Recommended