Kamerat e sigurise zbuluan vrasesit e Prenges

  • 4 years ago
Policia prangosi një tjetër të dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, duke e çuar në 5 numrin e të arrestuarve, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe 5 persona të tjerë.

Burime pranë uniformave blu thanë se këta persona, identiteti i të cilëve nuk bëhet me dije, shfaqen në kamerat e sigurisë së resortit dhe disa bizneseve në zonën ku dyshohet se humbi jetën 49-vjeçari.

Këto pamje kanë ndihmuar edhe në zbardhjen e ngjarjes. Në filmime shihet se të dyshuarit dalin nga resorti me trupin e viktimës të mbështjellë me qese. Njëri prej tyre mban një lopatë në dorë, ndërsa trupi i viktimës futet në një furgon të bardhë.

Mjeti është sekuestruar dhe gjendet në laboratorin e Policisë Shkencore, ku pritet të zbulohen prova që mund t?i shërbejnë hetimeve. Përveç këtyre provave, policia me vendim të gjykatës ka ushtruar kontroll në banesën e Jan Prengës, pak ditë pas rrëmbimit.

Në këtë kohë ka vendosur edhe një përgjues ambiental, ku dëgjohet një bisedë telefonike mes vëllait të viktimës dhe familjarëve dhe disa biseda të tjera në shtëpi, në të cilat ata tregojnë se Jan Prenga ishte marrë peng dhe ndodhej në Shijak.

Vëllai i 49-vjeçarit të rrëmbyer u ka kërkuar që mos flasin me policinë për këtë problem. Policia vijon ndërkohe kërkimet për trupin e viktimës, por të arrestuarit nuk kanë bashkëpunuar dhe kanë mohuar akuzat.

Policia thotë se ky rrëmbim ka ardhur si pasojë e një përplasje që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatorët dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe.

Tv Klan

Recommended