Konkurs/75-vjetori i Antifashizmit në Shqipëri, Dado: Do vlerësohet vepra, jo pikëpamjet politike

  • 5 years ago
Në përkujtim të 75-vjetorit të antifashizmit në Shqipëri, Akademia e Shkencave, ka shpallur konkursin retrospektivë për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, të botuar nga viti 1991 deri më vitin 2019. Për këtë konkurs do të akordohen tre çmime që janë: Për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, nga autorë vendës; Për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, nga autorë të huaj edhe Për veprën shkencore më cilësore për antifashizmin në Shqipëri, nga studiues të rinj. Akademikja Floresha Dado shpjegon detajet e këtij konkursi

?Ky konkurs është për veprën më të mirë, që është shkruar për periudhën e Luftës Antifashiste nga ?90 deri më 2019-ën, duke qenë se studimet në këtë periudhë janë më objektive dhe në një vështrim të ri. Së pari, ky është një konkurs që përfshin një çmim për veprën më cilësore të një studiuesi shqiptar, e një të huaj, por edhe një çmim për studiuesit e rinj?, thotë akademikja Dado.

Ndërsa, akademiku dhe nënkryetar i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, e vlerëson këtë konkurs, si një mundësi për studiuesit edhe historianët e rinj

?Si me ligjin aktual, por edhe me atë të ri, një nga funksionet e ASH është organizimi i konkurseve apo çmimeve të posaçme. Në këtë vit jubilar që është 75-vjetori i Antifashizmit, menduam të krijonim edhe ideonim një konkurs për veprën më të mirë të kërkuesit shqiptar, të huaj edhe studiuesit të rinj. Duhet që ta pranojmë se një pjesë e rëndësishme e literaturës kombëtare edhe ndërkombëtare i kushtohet studimeve për Luftën e Dytë Botërore?, thotë Tole.

Për organizmin e këtij konkursi pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ngrihet dhe funksionon një juri ndërkombëtare e specializuar, me studiues vendës e të huaj. Kjo juri ngarkohet, që në mënyrë autonome të bëjë përzgjedhjen, nominimin dhe shpalljen e tre fituesve, sipas përcaktimeve të pikës 3 të këtij vendimi.