Manja drejton komisionin për shkarkimin e Metës, Hajdari: Të shtyhet! Balla: Të lirohet sa më shpejt
  • 5 years ago
Partia Socialiste vendosi që Komisionin hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta ta drejtojë Ulsi Manja, i cili është edhe kryetar i Komisionit të Ligjeve. Komisioni do të ketë nëntë anëtarë, 5 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita. Komisioni do të shkojë për votim në Kuvend në datë 8 Korrik në orën 18:00, pra ditën e hënë, të javës që vjen. Sot u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ku surprizë ishte qëndrimi i kryetares së grupit Demokrat në parlamentin e Shqipërisë, Rudina Hajdari, e cila pavarësisht kritikave të forta kundër kreut të shtetit në muajt e fundit, kërkoi shtyrjen e ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij. Hajdari deklaroi në përfundim të mbledhjes se arsyet që e dërguan për një vendim të tillë janë mungesa e Gjykatës Kushtetuese por edhe për të shmangur pështjellimin e krizës politike, që më shumë e shikon si konflikt personal Rama-Meta. Ajo tha se komisioni mund të ngrihet në një moment tjetër kur situata politike të jetë qetësuar dhe të jetë ngritur Kushtetuesja duke shtuar se do të tërhiqet nga diskutimi të hënën për këtë cështje.

"Sapo përfunduam takimin e konferencës së kryetarëve dhe në fakt propozova shtyrjen e ngritjes së komisionit hetimor, pasi nuk kemi një gjykatë Kushtetuese dhe nuk është koha e duhur. Nga ana procedurale nuk e ndaloj dot, por nuk kemi pse nxitohemi. Nëse Presidenti ka shkelur Kushtetutën mund të vërtetohet kur të kemi Kushtetuesen. Sa i përket seancës së të hënës kemi kërkuar që të tërhiqemi nga diskutimi për një seancë që është bërë, se patëm një rezolutë që diskutua për Presidentin. Kjo e pështjellon situatën dhe konfliktin mes Ramës dhe Metës, që e shohim si personal. Komisioni të shtyhet kur të kemi një situatë më normale, kur të kemi ngritjen e Gjykatës Kushtetuese" tha ajo.

Por kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla u shpreh i vendosur për ngritjen e komisionit. "Në zbatim të plotë të Kushtetutës jemi në fazën kur është shqyrtuar nga komisioni i Ligjeve nisma e 55 deputetëve për shkarkimin e Presidentit Meta. Në këtë fazë raporti i shkon Kuvendit, kishim një diskutim për këtë cështje. Sipas rregullores, Kuvendi diskuton raportin dhe në rast se miratohet procedura vijon më tej dhe me miratimin e raportit ngrihet komisioni hetimor për evidentimin e shkeljeve dhe më pas komisioni paraqet në Kuvend raportin përfundimtar që në rast se merr mbështetjen e 94 deputetëve miraton shkarkimin dhe certifikimin e bën Gjykata Kushtetuese. Të tre grupet parlamentare do të propozojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision. Jemi në zbatim të përpiktë të afateve Kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendit për të çuar më tej këtë kërkesë, e cila sa më shumë ditë kalojnë aq më kuptimplotë bëhet bazueshmëria e nevojës për të liruar sa më shpejt zyrën e Presidentit. Kuvendi i Shqipërisë vijon procedurën normale dhe sapo kemi filluar punën intensive parlamentare të Kuvendit" tha ai.
Recommended