Bashkiaket e PD takohen me Bashen

  • 5 years ago
Pas humbjes së 15 bashkive, si pasojë e bojkotit të zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, të zgjedhurit vendorë të Partisë Demokratike nuk kanë ndërmend të lirojnë zyrat e tyre.

Ndonëse nuk ka një vendim zyrtar nga selia blu, kryebashkiakët e djathtë u thirrën në një takim nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ku për afro 2 orë 30 minuta kanë diskutuar se cilat do të jenë hapat politikë që do të ndërmerren.

Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu edhe më herët e ka deklaruar qëndrimin e tij, por sot u kujdes përpara mediave të thoshte se është qëndrim personal dhe jo i partisë. Vendimi edhe për Kryebashkiaken e Shkodrës do të diktohet nga zhvillimet politike.

Të zgjedhurit lokal të opozitës kanë deklaruar edhe më herët se nuk i njohin vendoret e 30 Qershorit. Zyrtarisht ata janë në detyrë deri në muajin Gusht, por në pikëpyetje mbetet se cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë Lulzim Basha, i cili ndryshe nga kryebashkiakët e djathtë që njohin dekretin e Presidentit Meta për mbajtjen e vendoreve në 13 Tetor, e kushtëzoi pjesëmarrjen në zgjedhje me tre kërkesa, largimin e Kryeministrit Rama, lirimin e personave të dënuar në protesta e opozitës dhe vënien përpara drejtësisë së pushtetarëve të majtë, të përfshirë sipas opozitës, në blerjen e votave në Dosjen 339 dhe 184.

Tv Klan

Recommended