PS mbledh firmat/ Rama: Të enjten rezolutë për shkarkimin e Metës! (Depozitohet kërkesa)
  • 5 years ago
Kryesia e Partisë Socialiste merr vendim politik për të nisur pa vonesa procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta për në seancën plenare të Kuvendit, të enjten. Një vendim që kërkon 2/3 e votave, pra për të mundësuar shkarkimin e presidentit nga Kuvendi do të duhen edhe votat e opozitës së re që erdhi pas djegies në bllok të mandateve nga opozita, tashmë jo kuvendore.

Ky vendim u mor pas konferencës së jashtëzakonshme të kreut të shtetit Meta, i cili firmosi shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve, duke i shtyrë ato pa afat, në një datë që sipas tij duhet të caktohet me marrëveshje politike.

"E enjtja do të finalizohet me rezolutë për shkarkimin e Presidentit. Duhet të fokusohemi te 30 qershori", mësohet të jetë shprehur kryeministri në mbledhjen e kryesisë. Po ashtu, Rama ka konfirmuar edhe një herë qëndrimin e shumicës që zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.

PS kërkoi mocion për debat ditën e enjte, për të miratuar rezolutën për shkarkimin e Metës

Kujtojmë se një ditë më parë Rama paralajmëroi nga Burreli se me lëvizjen e bërë për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, presidenti Meta e humbi të drejtën për të qenë në atë zyrë, ndërsa Shqiptarja.com e paralajmëroi këtë vendim menjëherë të shtunën, sapo Meta bëri publik vendimin e papritur për shfuqizimin e dekretit në nisje të protestës së tetë të opozitës kundër qeverisë.

Ndërkohë, vendimi i Metës, i quajtur 'zhdekretim' siç zëdhënësja e qeverisë tha pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, nuk ekziston në asnjë terme kushtetues, dhe si i tillë, do të kalojë për shqyrtim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe më tej në Kolegjin Zgjedhor.

Por shkarkimi i Presidentit kërkon 94 vota, pra PS-së i duhen edhe 16 vota nga opozita parlamentare. Gjithsesi, edhe nëse Kuvendi e shkarkon, Meta nuk ikën nga zyra pa u konfirmuar më parë shkarkimi i tij nga Gjykata Kushtetuese. Kur kjo gjykatë nuk ekziston, nxjerrja e Metës nga Presidenca duket e largët, duke marrë në konsideratë se në proces janë për tu emëruar 6 gjyqtarë kushtetues. 3 i emëron Meta dhe 3 Kuvendi. Shkarkimi i Presidentit kërkon 5 gjyqtarë, dhe duhet që të paktën 2 nga ata që do të caktojë Meta ta 'tradhtojnë' atë në seancën më të parë.

Arsyet dhe procedura e shkarkimit të Presidentit parashikohen në nenin 90 të Kushtetutës: ?Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë".
Recommended