Opozita proteston paqesisht

  • 5 years ago
Ndryshe nga herët e tjera në tubimin e 6-të kombëtar të opozitës nuk u shënuan incidente. Pas thirrjeve të forta të ndërkombëtareve për t?u distancuar nga dhuna mes protestuesve dhe policisë nuk pati asnjë përplasje. Por nuk munguan shashkat dhe boja e hedhur në fasadën e Kryeministrisë.

300 anëtarë të forumeve rinore ishin vendosur para kordonit të policisë për të evituar konfrontimet mes mbështetësve të opozitës dhe uniformave blu.

Nga podiumi përpara Kryeministrisë ku valëviteshin flamuj amerikanë, gjermanë dhe BE-së, Lulzim Basha  tha se nuk kërkon pushtet në tavolinë, por atë që çdo lider europian do synonte për vendin e tij.

Kreu i Partisë Demokratike ripërsëriti qëndrimin se për daljen nga kriza nevojitet një zgjidhje politike që ka si kusht largimin e Edi Ramës, duke u bërë thirrje zërave brenda mazhorancës të mos mbeten peng i Kryeministrit.

Teksa foli për kandidatë të inkriminuar nga mazhoranca, Lulzim Basha tha se është i vendosur të mos lejojë zgjedhje pa opozitën në 30 Qershor.

Pas lëshimit të balonave me parrullat "Rama ik", Basha ftoi protestuesit të ndezin dritat e celularëve dhe të marshonin drejt Parlamentit, ku u shënuan disa incidente te vogla.

Mesazhin e fundit Basha e dha para selisë së Partisë Demokratike, ku paralajmëroi Kryeministrin se çdo përpjekje për të ndalur betejën e opozitës do të marrë përgjigjen nga populli.

Opozita vendosi që protestën e radhës ta mbajë më 31 Maj, datë kur socialistët do të çelin fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 30 Qershorit.

Tv Klan

Recommended