Report TV -Rama letër Bashës .Kreu i PD-së refuzon dialogun
  • 5 years ago
Pas thirrjeve të shumta, këtë radhë, përmes një letre publike, kryeministri Edi Rama i kërkon liderit demokrat Lulzim Basha, të ulen në dialog pa kushte, por pa diskutuar datën e zgjedhjeve të cilën siç Rama shprehet - nuk ka fuqi ligjore ta negociojë. Megjithatë, kreu i qeverisë i lë të hapur mundësinë Bashës, për të diskutuar në tryezën e dialogut edhe mundësinë për të ndryshuar datën e zgjedhjeve, "ju jeni i lirë ta diskutoni", thekon Rama, por këmbëngul se nuk është në kompetencat e tij për ta bërë diçka të tillë. Kujtojmë se data e zgjedhjeve është caktuar me dekret të Presidentit Ilir Meta, dhe vetëm kreu i shtetit me një dekret të dytë, mund ta ndryshojë atë.

Teksa radhit të gjitha vendimet e opozitës, tashmë joparlamentare, të cilat thotë se nuk i mirëkupton, përfshi dhunën në protesta dënuar botërisht edhe nga ndërkombëtarët, kryeministri thekson se kryedemokrati nuk duhet të humbë më kohë dhe të ulet në tryezën e dialogut. Ky dialog, sipas kreut të qeverisë, nuk mund të mbetet peng i faktit që opozita në një vendim ekstrem kërkon të cënojë zgjedhjet, dhe as pamundësisë për të ndryshuar datën kushtetuese të zgjedhjeve, 30 qershorin 2019.

Shefi i mazhorancës shpreh edhe njëherë vendosmërinë për mbajtjen e zgjedhjeve, qoftë edhe pa opozitën që i ka bojkotuar ato, dhe se nuk do të ketë asnjë mundësi që të gjejë zbatim skenari i opozitës jokuvendore për bllokimin e tyre.

Rama thotë se dialogu është edhe një nevojë për zgjedhësit të cilët nuk kanë votuar ndonjëherë të majtën, mbështetësit e të djathtës, të cilët nuk duan dëmtim të Shqipërisë.

Në përfundim të letrës publike, Rama lë të kuptohet se ndoshta ftesa e tij nuk do të gjejë përgjigje pozitive nga kryetari i Partisë Demokratike.
Recommended