Report TV -Vidhnin bagazhet e pasagjerëve, pranga dy punonjësve në aeroportin e Rinasit
  • 5 years ago
Policia kufitare e Rinasit ka vënë në pranga 2 punonjës të ngarkim -shkarkimit të bagazheve në Aeroportin e Rinasit dhe ka vënë nën hetim 2 të tjerë pasi akuzohen se vidhnin bagazhet e udhëtarëve. Ata akuzohen për pesë vjedhje të ndodhura në Aeroportin e Rinasit.

Gjatë operacionit policia ka bërë të mundur edhe sekuestrimin e 4550 eurove të humbura nga një pasagjer i cili kishte bërë denoncim tre ditë më parë. Ai kishte denoncuar vjedhjen e një sasie prej 4800 euro në bagazhin e tij të udhëtimit, vjedhje të cilën e ka konstatuar në aeroportin e Lubjanës, Slloveni.

Gjatë hetimeve të kryera policia ka zbardhur edhe rastet e katër vjedhjeve të tjera të ndodhura në aeroport, ndër to dy vjedhje të vlerave monetare dhe dy të tjera vjedhje të varëseve të floririt të dy udhëtareve që kishin bërë denoncim pranë komisariatit të Policisë së Rinasit. Të gjitha rastet e zbardhura datojnë pas muajit Mars të këtij viti.

Në pranga kanë rënë D. M. 22 vjeç, banues në Tiranë dhe E. Rr., 24 vjeç, banues në Ndroq. Ndërsa në gjendje të lirë po hetohen A. E, 27 vjeç, banues në Mëzez në Tiranë dhe R.H. 27 vjeç, banues në Tiranë, edhe këta punonjës të ngarkim -shkarkimit të bagazheve të pasagjerëve të linjave ajrore.

Operacioni i kryer ka për qëllim forcimin e masave të sigurisë pas ngjarjeve të ndodhura në Aeroportin e Rinasit. Problematika e vjedhjes së valixheve është denoncuar më herët edhe nga Report TV, pasi shumë udhëtarë kishin paraqitur denoncime për humbjen e bagazheve.

Për sigurinë në aeroportin e Rinasit, është përgjegjëse TIA, kompania kineze e sigurisë.

Në datë 9 prill siguria në këtë aeroport u cënua rëndë pas grabitjes ku u morën miliona Euro për rreth 4 minuta.
Recommended