Rama: Gati për dialog me Bashën (jo Kryemadhin), por asnjë negociatë: 30 Qershori nuk lëviz
  • 5 years ago
Kryeministri Edi Rama është shprehur i vendosur se 30 qershori nuk negociohet, duke argumentuar se nuk do të lejojë që të cenohet Kushtetuta.

Zgjidhja e krizës, sipas tij, bëhet vetëm me anë të dialogut, për të cilin ka theksuar se nuk ka asnjë kusht për t'u ulur në tryezë me liderin demokrat. Duke falenderuar gatishmërinë e partive gjermane për ndihmuar në negociata, kreu i qeverisë tha se nuk është e nevojshme për ndërhyrjen e të huajve, pasi është i hapur që të dialogojë me Bashën në çdo kohë që ai dëshiron. Sa i takon, ish- aleates së tij, Monika Kryemadhi, Rama zgjodhi "t'i mbyllë" çdo derë për një dialog të mundshëm, duke e injoruar totalisht.

Në konferencën për shtyp, kryeministri i ka bërë analizën e kandidatëve të PS për kryebashkiak, ku ka vlerësuar Vladrin Pjetrin të Shkodrës dhe Valbona Sakon të Durrësit, madje bëri një apel edhe për vetë demokratët që të votojnë këto dy emra. Duke u ndalur tek mosrikandidimi i Sejdinit dhe Dakos, kryeministri theksoi se ajo ishte një vendim i tyri personal për të mos u zgjedhur sërish në këto dy Bashki ku kanë drejtuar për 12 vite.

Kjo konferencë përkon një ditë pas protestës së dytë të opozitës, ku Rama nuk nguroi të jepte një koment. Ai e cilësoi si një marshim të dhunshëm, që cenon imazhin e Shqipërisë, ndonëse dje u përdorën më pak bomba molotov se me 11 maj.
Recommended