Krahas shtimit dhe përmirësimit të terreneve sportive, në kryeqytet po i kushtohet një vëmendje e madhe promovimit të sportit tek të rinjtë. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Atletikës, organizuan ?Kids Athletics?, në terrenet e reja sportive të shkollës ?Dora D'Istria?, ku u realizua një orë mësimi mbi metodikën e promovimit të sportit të atletikës nëpër shkolla.
Në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për nxënësit pjesëmarrës, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se synimi i përmirësimit të infrastrukturës sportive në shkollat e kryeqytetit është jo vetëm përgatitja e sportistëve të ardhshëm, por që ata të jenë edhe qytetarë të mirë. ?Jam shumë i lumtur që arritëm ta transformonim këtë hapësirë, por a mjafton që shkolla të qëndrojë e hapur vetëm paradite? Jo! Një nga arsyet pse jemi këtu sot, bashkë me miqtë tanë sportistë, është se jemi po aq të interesuar që ju të jeni të suksesshëm si brenda në klasa, ashtu edhe jashtë saj?, tha ai.
Veliaj vlerësoi se pavarësisht rezultateve sportive, aktivitete të tilla formësojnë të rinjtë e ardhshëm për të qenë kampion edhe në jetë. ?Në qoftë se jemi qytetarë kampionë, në qoftë se jemi nxënës kampionë, në qoftë se jemi fëmijë kampionë të një familjeje kampione, them se e kemi thyer rekordin, pavarësisht se kush do vazhdojë të bëhet sportist elitar. Sporti na mëson disa gjëra shumë të rëndësishme: Së pari, rëndësi ka të marrim pjesë, pra të pranoni të hyni në garë. E dyta, ekipi që do të fitojë duhet të jetë i përulur, nuk ka nevojë të jeni arrogant, sikur keni çliruar Tiranën; kurse ekipi që humb nuk duhet ta trajtojë sikur është ndonjë tragjedi e madhe?, shtoi kryebashkiaku.
Comments