Djegia e mandateve/ Kuvendi nuk humbet kohë, çon në KQZ dorëheqjet e opozitës
  • 5 years ago
TIRANE-24 orë pas firmosjes së djegies së mandateve nga deputetët e opozitës, Kuvendi i Shqipërisë nuk humbet kohë duke i përcjellë kërkesat Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi raporton se kërkesat e deputetëve të opozitës janë depozituar mesditën e sotme në KQZ. Afati për të dorëzuar kërkesat e 56 deputetëve të opozitës në KQZ-së është 30 ditë, por Kuvendi nuk ka marrë më shumë kohë duke i nisur direkt.

Tashmë brenda 30 ditëve KQZ-ja duhet të shprehet për ndërprerjen e mandatit të deputetëve të opozitës. Deri në vendimmarrjen e KQZ-së për t'u ndërprerë mandatet, të gjithë të dorëhequrit e opozitës janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe gëzojnë të gjitha privilegjet.

Në momentin që KQZ-ja do të ndërpresë mandatet për deputetët aktualë që kanë firmosur kërkesat do të vijojë procedurën me kandidatët në listën vijuese të PD dhe LSI. Por dy partitë e opozitës kanë marrë masat në mënyrë që asnjëri nga vijuesit në listë të mos pranojë mandatet.

Burime për Report Tv thonë se vendimi i shumicës për të mos humbur kohë dhe për të mos pritur afatin 30 ditë, erdhi pasi edhe ndërkombëtarët, thirrjet e të cilëve u refuzuan nga opozita, mësohet se janë shprehur se për sa kohë pakica e zgjodhi rrugën e saj, shumica të vijojë punën.

Megjithatë të papriturat nuk përjashtohen, nisur edhe nga fakti që nga deputetët aktualë të opozitës, 5 nuk kanë firmosur ende. Nuk ka firmosur siç kishte njoftuar Lefter Koka nga LSI-ja, ndërsa nga PD-ja nuk kanë dorëzuar mandatet Myslim Murrizi, Rudina Hajdari, Fatmir Mediu dhe Nard Ndoka. Dy të fundit, Mediu dhe Ndoka janë shprehur se në momentin që do të kthehen në Tiranë do të firmosin, pasi ndodhen jashtë vendit
Recommended